Aleanca me aktivitet para kuvendit, Ramadani: Deputetët e VV-së janë të bllokuar nga “grushti i hekurt”
Aleanca ka zhvilluar sot një aktivitet simbolik tek hyrja e Kuvendit të Kosovës, ku ka vendosur fotografitë e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje. Në fotografitë e vendosura para Kuvendit shkruan “Lutemi për lirinë e tyre”, ndërsa mbi to është vendosur mbishkrimi “FREE”.
Poshtë fotografive është vendosur mbishkrimi “Kurti – Dejona”, përmes të cilit Aleanca ka përcjell një mesazh politik ndaj drejtimit të Lëvizjes Vetëvendosje dhe mënyrës së funksionimit të saj.

Në kuadër të aktivitetit ka folur edhe zyrtari i Aleancës, Burim Ramadani, i cili tha se qëllimi është ngritja e vetëdijes për atë që e konsideron si ndikim të një “regjimi partiak” në institucionet e shtetit.
“Qëllimi është ta ngrisim vetëdijesimin se kemi një aktivitet, një regjim në parti dhe një regjim në shtet. A keni dëgjuar ndonjë deputet të VV-së që flet mendimin e tyre? Përgjigjja është jo, sepse VV-ja udhëhiqet me grusht të hekurt dhe është jodemokratike. Dhe i njejti model po mundohet të vendoset dhe në institucionet dhe shtetin e Kosovës ”, tha Ramadani.
Sipas tij, i njëjti model po tentohet të vendoset edhe në institucionet e Kosovës.
“Ne sot po e bëjmë këtë aktivitet për të vënë në pah se deputetët e VV-së janë të bllokuar brenda këtij grushti të hekurt. Ata mund të flasin vetëm atë që ua shkruan dikush në nëna-parti”, deklaroi ai.
Ramadani pretendoi gjithashtu se disa deputetë të VV-së, sipas tij, kanë shprehur pakënaqësi, lidhur me këtë situatë, por nuk kanë lirinë të flasin publikisht për qëndrimet e tyre.
“Jo rrallë dhe në adresa të caktuara, deputetët e VV-së kanë filluar të ankohen për bllokimin dhe grushtin e hekurt. Nuk pajtohen me atë, por nuk e kanë lirinë që të shprehen dhe të flasin për mendimet personale lidhur me situatën dhe bllokimin e shtetit”, tha Ramadani.
Në fund, ai theksoi se, sipas tij, secili deputet duhet të ketë mundësi ta shprehë lirshëm mendimin e tij.
“Secili deputet duhet ta shprehë mendimin e lirë. Në rastin konkret, po e shohim që është një regjim partiak që synon të kthehet në regjim në shtet”, përfundoi Ramadani.