
Arben Fetai vjen me një lajm të mirë: E zgjidhëm…
AA
Zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë Arben Fetai, ka njoftuar për një zhvillim të rëndësishëm për qindra inspektorë tatimorë komunalë në Shkup dhe komunat përreth. Pas një rekomandimi të tij, Ligji i ri për Mbikëqyrjen Inspektuese, tashmë i publikuar në Gazetën Zyrtare, i njeh zyrtarisht statusin e tyre si inspektorë të licencuar, duke i dhënë fund një situate të paqartë dhe diskriminuese që ka zgjatur mbi dy dekada.
Sipas Fetaijt, nga 1 janari i vitit të ardhshëm, inspektorët tatimorë komunalë nuk do të trajtohen më si nëpunës të zakonshëm administrativë, por do të kenë të drejta të plota ligjore dhe profesionale, një avancim i shumëpritur në karrierën dhe sigurinë e tyre profesionale.
“Pushtetet e kaluara i lanë këta inspektorë pa licencë, të nënvlerësuar dhe të harruar. Ne po e rregullojmë këtë padrejtësi, si shumë të tjera që u trashëguan nga ata që nën maskën e shqiptarisë pasuruan vetëm familjet e tyre,” theksoi Fetai në deklaratën e tij.
Ai siguroi se reformat do të vazhdojnë dhe se secili sektor që ka vuajtur nga neglizhenca politike do të marrë vëmendjen dhe zgjidhjen që meriton.
Ky vendim përbën një tjetër hap konkret në angazhimin për barazi, profesionalizëm dhe dinjitet në administratën publike. (INA)