
Arben Fetai zhvillon bisedë përmbajtësore me Pieter Feith
AA
Arben Fetai zhvillon bisedë përmbajtësore me Pieter Feith: Mbështetje e fuqishme për Ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit
Shkup, 15 korrik 2025 – Zëvendësministri për Sistem Politik, Arben Fetai, ka zhvilluar një bisedë miqësore dhe përmbajtësore me z. Pieter Feith, ish-shef i ekipit ndërkombëtar negociator që mbështeti procesin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.
Biseda u fokusua në progresin e arritur në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, me theks të veçantë në miratimin e Ligjit për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, që për herë të parë e rregullon me ligj këtë parim të rëndësishëm të barazisë ndëretnike.
Z. Feith përshëndeti këtë zhvillim si një hap historik, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së frymës së Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dhe të orientimit strategjik të vendit drejt Bashkimit Evropian.
Gjithashtu, u diskutua për procesin e decentralizimit, si një tjetër shtyllë thelbësore e Marrëveshjes, dhe për angazhimet e Qeverisë në financimin e projekteve të qeverisjeve lokale.
Në fund të bisedës, z. Feith u shpreh me emocion: “Zemra ime është gjithmonë me Maqedoninë e Veriut”, duke riafirmuar lidhjen e tij të veçantë me vendin dhe përkushtimin për paqe dhe bashkëjetesë ndëretnike. (INA)