Arben Gashi: Votuesi nuk e ka të lehtë ta kuptojë LDK-në, ndryshuam qëndrim disa herë në 18 muaj
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka kritikuar zhvillimet e fundit politike brenda dhe rreth partisë, duke thënë se votuesi e ka të vështirë ta kuptojë se për çfarë qëndron LDK-ja.
Gashi ka përmendur ndryshimet e qëndrimeve të LDK-së gjatë 18 muajve të fundit, nga refuzimi i dialogut me kryeministrin Albin Kurti, te kërkesa për zgjedhje, bashkëqeverisje dhe tash edhe bashkëpunimi për zgjedhjen e presidentit.
“Votuesi nuk ka faj. Nuk e ka të lehtë ta kuptojë se për çka qëndron LDK-ja, kur për 18 muaj kaluam nga ‘me Kurtin nuk bisedojmë’, te ‘duam zgjedhje’, pastaj ‘duam bashkëqeverisje’, e tani te ‘hajde ta bëjmë bashkë Presidentin’”, ka shkruar Gashi.
Gashi ka reaguar edhe ndaj kritikave të Vetëvendosjes ndaj disa deputetëve të LDK-së, duke thënë se partia e tij nuk mund të nënshtrohet apo shantazhohet.
“E tash, qenkan bërë eksponentë të Vetëvendosjes për t’i gjetur gjashtë deputetë të LDK-së fajtorë për dështimin e tyre për ta nënshtruar LDK-në, dhe Kosovën”, ka shkruar Gashi.
“Ku janë parimet? Ku është konsistenca? Ku është drejtimi? Ku është ideali?”, ka shtuar ai.
Sipas Gashit, LDK-së i duhet rikthimi te parimet, programi dhe identiteti i saj politik.
“Jo të nderum. LDK-ja nuk nënshtrohet dhe nuk shantazhohet. Kot e keni. Prandaj, kjo është koha të kthehemi te vetja, te parimet dhe te qytetarët. Të ndërtojmë një LDK të qartë në qëndrime, të qëndrueshme në vendime dhe të besueshme në veprime”, ka shkruar Gashi.