Arben Taravari pas raundit të dytë: Kemi më shumë vota popullore, por nuk kemi kryetarë
Pas përfundimit të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, kryetari i Aleancës për Shqiptarët dhe njëri nga liderët e koalicionit AKI, Arben Taravari, ka reaguar me një postim në rrjete sociale duke reflektuar mbi rezultatet zgjedhore.
Taravari ka falënderuar të gjithë qytetarët dhe votuesit e koalicionit, si dhe ka përgëzuar kandidatët e AKI-së për garën që e cilësoi si “të ndershme dhe dinjitoze”.
“Ne si koalicion kemi më shumë vota popullore, por nuk kemi kryetarë. Qartazi, përzgjedhja e disa kandidatëve ishte dashur të mendohej më mirë në disa komuna”, shkroi Taravari.
Megjithatë, ai theksoi se në komunat Gostivar dhe Vrapçisht koalicioni doli fitues, duke e konsideruar këtë si një fitore të rëndësishme jo vetëm në nivel lokal.
“Aty fituam kundër një shteti që na mban peng me census”, shtoi ai.
Në reagimin e tij, Taravari u ndal edhe te ndjenjat që kanë shoqëruar rezultatin: gëzim për fituesit, zhgënjim për humbësit dhe zemërim për ata që “u tradhtuan”.
Ai theksoi se, pavarësisht emocioneve, mbetet racional dhe i ftohtë përballë fakteve.
Postimin e mbylli me një pyetje që, sipas tij, do të marrë përgjigje shumë shpejt:
“Me rezultatet e djeshme, a fituan shqiptarët? Edhe për ata që nuk e dinë përgjigjen, koha do ta tregojë fatkeqësisht shumë shpejt.”