Arbitrazhi vendos në favor të Telekomit të Kosovës në rastin “Paykos”
Arbitrazhi Ndërkombëtar i Zvicrës ka vendosur pro Telekomit të Kosovës në rastin “Paykos”.
Lajmin e ka konfirmuar Telekomi i Kosovës përmes një njoftimi për media.
Vendimi sipas njoftimit të Telekomit është lëshuar të mërkurën e 27 dhjetorit, ka thënë Telekomi në një njoftim për media të enjten.
Kontesti ndërlidhej me një kontratë për shitjen e mbushjeve të operatorit “Vala”, të nënshkruar mes Telekomit të Kosovës dhe kompanisë “Paykos”. Kjo kontratë ishte shkëputur njëanshëm nga Telekomi.
“Telekomi i Kosovës Sh.A, në cilësinë e ndërmarrjes publike, njofton aksionarin dhe publikun se me datë 27 dhjetor 2023 është lëshuar vendimi përfundimtar i arbitrazhit me nr. 300595-2022 pranë Qendrës Zvicerane të Arbitrazhit (“Vendimi i Arbitrazhit”). Vendimi i Arbitrazhit përfshin Paykos LLC në cilësinë e Paditësit dhe Telekomin e Kosovës Sh. A. në cilësinë e palës së paditur dhe lidhet me Marrëveshjen e Partneritetit të nënshkruar më 2015”, thuhet në njoftim.
“Vendimi i Arbitrazhit paraqet një konfirmim të ligjshmërisë së qëndrimeve parimore të Telekomit të Kosovës në raport me Paykos dhe kërkesën për zbatimin e duhur të marrëveshjeve kontraktuale në përputhje me ligjet e aplikueshme të Republikës së Kosovës”, ka thënë Telekomi.
Vendimi i Arbitrazhit e detyron kompaninë “Paykos” t’ia paguajë Telekomit të Kosovës shumën prej 1,400,000 euro, derisa Telekomi i Kosovës detyrohet t’i paguajë Paykos rreth 850,000 euro.