Arifi: Diaspora jonë paguan tatime për investime, por nuk llogaritet në buxhetin që kthehet në komuna
Erkan Arifi në Debat në Shenja tha se me ardhjen e qeverisë aktuale, komunave nuk u lëshohet në mënyrë të rregullt TVSH-ja mujore për banorët jorezident, pasi ata nuk përfshihen në përllogaritjet zyrtare. Ai theksoi se kjo qasje është e padrejtë, duke pasur parasysh rolin e madh që luan diaspora për zhvillimin e komunës dhe shtetit.
Ai shtoi se, pavarësisht këtyre investimeve dhe kërkesave legjitime, shteti nuk ndan mjete të mjaftueshme për këta banorë, duke e vështirësuar punën e komunës për të përmbushur nevojat e tyre.
Në këtë drejtim, Arifi bëri të ditur se në kuadër të BNJVL-së është iniciuar një procedurë për rishqyrtimin e mekanizmit aktual të shpërndarjes së mjeteve, me qëllim përfshirjen e drejtë të të gjithë shtetasve të Maqedonisë së Veriut, përfshirë edhe ata që jetojnë jashtë vendit.
“Me ardhjen e kësaj qeverie, as TVSH-ja që lëshohet çdo muaj për Komunat, për ata që janë jorezident nuk lëshohet. Nuk përllogariten në përllogaritjen matematikore. Ajo çka është e rëndësishme është se diaspora është oksigjen për shtetin tonë, për komunën tonë dhe diaspora është ajo që investon në Komunën e Likovës. Ata jetojnë në shtetet gjermane, austriake, zvicerane 40 vjet/50 vjet, ai vjen ndërton në Komunë të Likovës dhe ai i cili ndërton, ne e bëjmë obligues tatimor. Plus, ai që ndërton, ai kërkon të drejtat e veta. Kërkon rrugë, kërkon ujësjellës, kanalizim, ndriçim publik, të gjitha të drejtat, ndërsa shteti nuk më lëshon mua si kryetar komune, mjete për ata banor dhe është e padrejtë dhe ne edhe në kuadër të BNJVL-së kemi inicuar procedurë që të rishqyrtohet ky mekanizëm i rregullimi të të gjithë atyre që janë shtetas të RMV-së”, tha Arifi.