Operacion i suksesshëm në Spitalin “Sheikh Zayed” në Vushtrri, mjekët largojnë tumorin me peshë prej 4 kilogramësh
Një ndërhyrje e ndërlikuar kirurgjike është realizuar me sukses në Spitalin e Përgjithshëm “Sheikh Zayed” në Vushtrri, ku ekipet mjekësore kanë arritur të largojnë një tumor me peshë prej katër kilogramësh te një paciente.
Sipas njoftimit të spitalit, pacientja ishte përballur me këtë rast për rreth dy vjet, ndërsa ndërhyrja është vlerësuar si komplekse, duke pasur parasysh gjendjen e saj shëndetësore, transmeton Gazeta Online Veriu.info.
Njoftimi i plotë:
NJË TJETËR SUKSES NË SPITALIN “SHEIKH ZAYED”!
Një ndërhyrje kirurgjike komplekse është realizuar me sukses sot në Spitalin “Sheikh Zayed” në Vushtrri, ku është larguar një tumor me peshë prej 4 kilogramësh te një paciente në gjendje të rëndë.
Bëhet fjalë për një rast të veçantë klinik, me të cilin pacientja është përballur për rreth dy vite. Falë mobilizimit dhe profesionalizmit të lartë të stafit shëndetësor, kjo ndërhyrje delikate u finalizua me sukses të plotë, ndërsa gjendja e pacientes pas operacionit është e mirë dhe stabile.
Ky intervenim u realizua nga ekipi mjekësor i përbërë nga:
• Mr. sc. Dr. Blerim Feka – Gjinekolog Obstetër
• Dr. Fatmire Melenica – Gjinekologe Obstetër
• Dr. Behije Ejupi – Gjinekologe Obstetër
• Dr. Rexhep Kovaçi – Anesteziolog
Dr. Blerim Feka, udhëheqës i kësaj ndërhyrjeje, shpreh mirënjohje të veçantë për drejtorin e Spitalit për mbështetjen e vazhdueshme dhe krijimin e kushteve optimale për realizimin e operacioneve të tilla të rralla dhe komplekse.
Ky sukses është dëshmi e përkushtimit, profesionalizmit dhe misionit tonë të përbashkët për t’u ofruar shërbime cilësore shëndetësore të gjithë qytetarëve.
Spitali “Sheikh Zayed” – Vushtrri
Gjithmonë në shërbim të pacientëve.