Arkin Jahiji: Gara mes AKI-së dhe VLEN-it ka përfunduar, tani jemi të gjithë bashkë!
Kandidati i AKI-së për kryetar të Komunës së Bërvenicës, Arkin Jahiji, ka bërë thirrje për bashkim përpara raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, që do të mbahet më 1 nëntor, duke theksuar se gara mes AKI-së dhe VLEN-it tashmë ka përfunduar.
Në një postim të publikuar sot në rrjetet sociale, Jahiji u është drejtuar bashkëvendësve të tij me mesazhin se tashmë të gjithë duhet të bashkohen rreth një misioni të përbashkët.
“Gara mes AKI-së dhe VLEN-it ka përfunduar më 18 tetor. Tani jemi të gjithë bashkë dhe kemi tjetër mision!”, ka shkruar Jahiji.
Ai thekson se gjithmonë ka qenë promotor i unifikimit sa herë që ka pasur nevojë, duke shtuar se ngjyrat partiake nuk kanë pasur rëndësi në Bërvenicë.
Jahiji u ka bërë thirrje qytetarëve që më 1 nëntor të dalin masivisht në votime dhe të mobilizojnë edhe të tjerët për të marrë pjesë në procesin zgjedhor.
“Dhe më 1 nëntor, dilni të gjithë, thirrni të gjithë dhe mos të mbes askush prapa, të votojmë për ndryshim, të votojmë për dinjitet”, thuhet në postimin e tij.
Mesazhin e tij, kandidati i AKI-së e ka përmbyllur me sloganin: “Bashkë për Bërvenicën, sepse bashkë jemi më të fortë!”
Thirrja e Jahijit vjen në një kohë kur mbështetja e votuesve shqiptarë dhe qëndrimi i subjekteve politike në prag të balotazhit janë ndër çështjet kryesore të garës zgjedhore në Bërvenicë./Shprehja