Arrestohet një 58-vjeçar në Gostivar, policia gjen drogë dhe municion gjatë bastisjes
Një 58-vjeçar nga fshati Raven i Gostivarit është arrestuar nën dyshimin për prodhim dhe shpërndarje të paautorizuar të drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, arrestimi është kryer mëngjesin e sotëm, rreth orës 07:30, nga zyrtarët policorë të Drejtorisë së Punëve të Brendshme Gostivar.
Gjatë një bastisjeje të kryer në shtëpinë e të dyshuarit dhe në objektet ndihmëse, me urdhër të gjykatës, policia ka gjetur dhe sekuestruar një substancë pluhur të bardhë, marihuanë dhe fishekë pistolete.
I dyshuari është ndaluar në stacionin policor, ndërsa pas dokumentimit të plotë të rastit ndaj tij do të ngrihen kallëzimet përkatëse penale, njoftojnë nga MPB.
