
ASh: Përfaqësim i drejtë dhe adekuat – Thelbi i platformës së re politike: Pa barazi reale nuk ka shtet funksional
Aleanca për Shqiptarët rikujton se barazia reale dhe përfaqësimi i drejtë e adekuat në të gjitha nivelet e shtetit janë shtylla mbi të cilat duhet të ndërtohet një pakt i ri politik mes shqiptarëve dhe maqedonasve, theksohet në një komunikatë të partisë.
Sipas Aleancës, platforma kombëtare e propozuar synon që shqiptarët të kenë të njëjtat të drejta dhe mundësi si maqedonasit në çdo sferë të jetës: arsim, ekonomi, kulturë, administratë dhe siguri publike. “Institucionet shtetërore – nga administrata deri te policia dhe gjyqësori – duhet të pasqyrojnë përbërjen multietnike të vendit, duke garantuar që shqiptarët të mos mbeten të nën-përfaqësuar,” theksojnë nga partia.
Aleanca thekson se një shtet demokratik nuk mund të funksionojë mbi bazën e margjinalizimit, prandaj platforma e saj fokusohet te ruajtja dhe fuqizimi i identitetit, gjuhës, kulturës dhe trashëgimisë shqiptare. “Ky është një hap i domosdoshëm që komuniteti shqiptar të mos mbetet i përjashtuar nga zhvillimet politike, ekonomike dhe shoqërore,” vijon komunikata.
Partia paralajmëron se diskutimi për heqjen e parimit të balansuesit dhe miratimin e një ligji të ri mbi përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të bashkësive etnike përbën një kërcënim për të drejtat e shqiptarëve dhe kohezionin shoqëror.
Në përfundim, Aleanca për Shqiptarët fton partitë shqiptare, sektorin civil, intelektualët dhe të gjitha shtresat shoqërore të përkrahin paktin politik të propozuar, si garanci për një shtet funksional, të barabartë dhe evropian.
“Vetëm përmes barazisë reale mund të ndërtohet bashkëpunim i qëndrueshëm për zhvillimin e shtetit dhe integrimin evropian,” përfundon komunikata. Flaka