Avokati i Popullit vizitoi Burgun e Shutkës, hetohen pretendimet për dhunë ndaj të burgosurve
AA
Avokati i Popullit, Faton Selami, vizitoi sot Institucionin Ndëshkues-Përmirësues – Burgu i Shkupit në Shutkë, ku zhvilloi takime me drejtuesit e institucionit, por edhe me një pjesë të të burgosurve që kanë paraqitur pretendime për përdorim të dhunës gjatë kontrollit të djeshëm.
Nga Zyra e Avokatit të Popullit njoftuan se Selami, së bashku me ekipin e Mekanizmit për Kontroll Civil, u takua me drejtorin e burgut, Boban Utkovski, dhe zëvendësdrejtorin Baki Mustafi, me qëllim marrjen e informacioneve më të detajuara lidhur me kontrollin e kryer nga pjesëtarët e Njësisë së Intervenimit të Policisë së Burgjeve, e cila është nën kompetencë të drejtpërdrejtë të Drejtorisë për Ekzekutimin e Sanksioneve.
Gjatë vizitës, Avokati i Popullit bisedoi drejtpërdrejt edhe me disa nga të burgosurit që ishin objekt i kontrollit.
Fokusi i bisedave ishte mënyra e veprimit të pjesëtarëve të njësisë gjatë kontrollit, përkatësisht nëse janë respektuar procedurat dhe standardet e përcaktuara me aktet përkatëse, si dhe nëse ka pasur tejkalim të kompetencave zyrtare apo përdorim të forcës së tepruar.
Nga Zyra e Avokatit të Popullit bëjnë të ditur se gjatë ditës së sotme ekipi i Mekanizmit për Kontroll Civil do të vazhdojë hetimin e rastit, ndërsa pas përfundimit të verifikimeve, Avokati i Popullit do ta informojë publikun për konstatimet dhe veprimet që do të ndërmerren.
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, deklaroi se partia e tij është e gatshme të përballet me zgjedhjet edhe nëse ato
Çmimet e derivateve të naftës në vend do të rriten nga sonte në mesnatë. Vendimin e ka marrë sot Komisioni
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut mohon se u paguan sigurim shëndetësor privat deputetëve dhe të punësuarve. Në një demant, Kuvendi