Azizi: Sahit Jashari mishëroi sakrificën për atdheun, ngushëllime familjes Jashari
Deputeti i VLEN-it, Adnan Azizi, ka reaguar pas ndarjes nga jeta të Sahit Jasharit, duke e vlerësuar atë si një figurë që mishëroi sakrificën, trimërinë dhe përkushtimin ndaj atdheut.
Në një postim në rrjetet sociale, Azizi theksoi se për një shqiptar nuk ka krenari më të madhe sesa të ketë luftuar për çlirimin e vendit, ndërsa këtë krenari e konsideroi edhe më të madhe kur dikush ka pasur nderin të jetë ushtar i komandantit legjendar, Adem Jashari.
Sipas tij, Sahit Jashari me trimërinë e treguar gjatë luftës dhe me modestinë e tij në kohë paqeje, la pas një shembull të vyer për brezat, duke dëshmuar se dashuria për atdheun duhet të jetë mbi çdo interes personal.
Azizi theksoi se përpjekja dhe lufta e Sahit Jasharit nuk ishin kurrë mjet për përfitime personale, pasi ai gjithmonë vendosi interesin e atdheut para vetes.
Në fund të reagimit, Azizi shprehu ngushëllimet e tij për familjen Jashari, duke lutur që shpirti i të ndjerit të prehet në paqe dhe të shpërblehet me Xhenet.