
BDI: Adnan Azizi dhe VLEN mbrojnë dhunuesit e shqiptarëve duke shpif akuza ndaj shqiptarëve
Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të shefit të Shtabit Zgjedhor të VLEN-it, Adnan Azizi, duke e akuzuar atë për nxitje të tensioneve ndëretnike dhe fetare.
“Shefi i Shtabit të VLEN, Adnan Azizi, ka filluar një fushatë të errët dhe të rrezikshme jo vetëm për procesin zgjedhor, por edhe për marrëdhëniet ndëretnike, stabilitetin dhe sigurinë në vend,” thuhet në reagimin e BDI-së.
Partia e Ali Ahmetit e akuzon Azizim për paaftësi dhe përpjekje për të manipuluar opinionin.
“Pasi për shtatë ditë nuk guxoi t’i kthejë përgjigje padronit të tij, Hristian Mickoski, për ofendimin që ia bëri, Adnan Azizi vendosi t’u sulet shqiptarëve. Në vend që të mbrojë shqiptarët, ai doli në mbrojtje të huliganëve maqedonas që dhunuan fëmijët shqiptarë duke shpikur akuza ndaj shqiptarëve,” thekson BDI.
Në reagim, krahasohet sjellja e Azizit me praktikat e periudhave të errëta të historisë.
“Akt më të ulët nuk mbahet mend nga asnjë politikan shqiptar që nga koha e Rahman Morinës, kur për dhunën ndaj shqiptarëve akuzoheshin shqiptarët dhe mbrohej regjimi i Millosheviçit,” thuhet në komunikatë.
BDI paralajmëron se deklaratat e Azizit për djegien e xhamisë në Kodrën e Diellit krijojnë alibi të rrezikshme.
“Ai paralajmëroi djegien e xhamisë duke krijuar përsëri alibi për huliganët që të bëjnë një vepër të tillë dhe duke ua hedhur paraprakisht fajin shqiptarëve si ‘fajtorë kujdestar’, siç po bëjnë që nga formimi i kësaj qeverie,” theksohet në reagim.
Sipas BDI-së, VLEN po tenton të zhvendosë goditjet me bazë etnike në një dimension fetar.
“Me këto deklarata dhe me deklaratat e fundit me përmbajtje fetare nga eksponentë të ndryshëm të VLEN-it po dëshmohet edhe një lojë më e rrezikshme. Të gjitha sulmet dhe goditjet me bazë etnike ndaj shqiptarëve, ata duan t’i shtrembërojnë, t’u japin konotacion fetar dhe të nxisin tensione me bazë fetare,” thotë partia.
Reagimi përfundon me një paralajmërim historik:
“Këto janë skenarët më të dëmshëm dhe më të rrezikshëm për shqiptarët që nga koha e Rankoviçit dhe Çubrilloviqit, e që sot fatkeqësisht po ringjallen nga vasalët e Botës Serbe të instaluar në Qeveri,” përfundon deklarata e BDI-së.