BDI akuzoi Qeverinë për humbjen e 60.77 milionë eurove grant nga BE
Bashkimi Demokratik për Integrim ka deklaruar se qeveria ka dështuar të sigurojë 60.77 milionë euro grant nga Bashkimi Evropian, të destinuara për ndërtimin e seksionit të tretë të hekurudhës së Korridorit 8 drejtë Bullgarisë. Sipas BDI-së, kjo përbën humbje të një mundësie të rëndësishme për zhvillimin ekonomik, modernizimin e infrastrukturës dhe forcimin e lidhjeve të vendit me Evropën.
Bekim Rexhepi nga BDI, theksoi se sipas dokumenteve zyrtare të dorëzuara nga vetë Qeveria në Kuvend, fondet IPA nuk janë të disponueshme sepse, tenderi i shpallur në vitin 2024 është anuluar dhe kontrata për ndërtimin e seksionit të tretë të hekurudhës nuk është lidhur brenda afatit të përcaktuar.
BEKIM REXHEPI-BDI
“Pra, humbja e 60.77 milionë eurove nuk është një pretendim politik. Është pasojë e dokumentuar në aktet zyrtare të institucioneve. Qytetarët duhet ta dinë se në fund të vitit 2023, kur BDI ishte pjesë e qeverisjes, u sigurua paketa më e madhe financiare për këtë projekt, në vlerë prej rreth 560 milionë euro: 175 milionë euro kredi nga Banka Evropiane e Investimeve, 175 milionë euro kredi nga BERZH, 149 milionë euro grant nga ËBIF, 60.77 milionë euro grant IPA nga Bashkimi Evropian”.
Ai theksoi se ky ishte rezultat i besimit të partnerëve evropianë dhe i punës për ta vendosur Korridorin 8 si prioritet strategjik të shtetit. Sipas partisë opozitare, Korridori 8 nuk është thjesht një projekt infrastrukture por është korridor panevropian, pjesë e rrjetit strategjik të transportit të Bashkimit Evropian dhe me rëndësi të veçantë për NATO-n.
BDI pyet se kush mban përgjegjësi për humbjen e 60.77 milionë eurove, pse nuk u përmbushën afatet për realizimin e projektit dhe a do të duhet tani që qytetarët ta mbulojnë nga buxheti i shtetit atë që Bashkimi Evropian ishte i gatshëm ta financonte si grant.
Zebushe Ramadani /SHENJA/
