Skandaloze çfarë po zbulon Komisioni për rastin e Arlinda Zekajt: Dyshime për falsifikim dokumentesh dhe shkelje institucionale
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Adelina Tërshani, e cila është anëtare e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt ka deklaruar për Ekonomia Online se gjatë intervistimit të akterëve institucionalë janë evidentuar shkelje të ndryshme në trajtimin e rastit, përfshirë edhe dyshime për falsifikim të dokumenteve dhe shmangie të pyetjeve në formularët e Qendrës për Punë Sociale (QPS).
Tershani ka bërë të ditur se komisioni tashmë ka filluar intervistimin e personave që kanë qenë të përfshirë në trajtimin e rastit të Zekajt, duke theksuar se gjetjet e deritanishme tregojnë për mangësi institucionale që, sipas saj, kanë pasur pasoja fatale.
“Këtë javë me Komisionin Hetimor për rastin e Alinda Zekajt kemi filluar tashmë me intervistat e akterëve që e kanë pasur rastin e Alinda Zekajt nëpër dorë. Alinda, e ndjera fatkeqësisht ka arritur me i qit në pah shumë lëshime, kisha me thënë institucionale që në fund kanë rezultuar që asaj me iu marrë jeta. Por ajo çka ne po tentojmë me bë përmes komisionit është me i evidentu këto shkelje. Çka po del fatkeqësisht, që ka shkelje edhe më të rënda, gjithmonë duke tentuar me e ruajtur edhe konfidencialitetin edhe besimin që e kam nënshkruar duke qenë anëtare e këtij komisioni hetues”, tha Tershani.
Ajo ka bërë të ditur se disa prej gjetjeve të komisionit lidhen me mundësinë e falsifikimit të dokumenteve dhe mosregjistrimin e informacioneve të rëndësishme në formularët e QPS-së, të cilat do të mund të ndikonin në vlerësimin e rrezikshmërisë së personit ndaj të cilit ishte lëshuar urdhër mbrojtje.
“Po mundem me u lëshu më shumë në ato çka i kemi gjetur, për shkak se të gjitha intervistat me të gjithë dëshmitarët kanë qenë publike dhe kanë qenë të përcjella gjatë tërë kohës prej juve si media. Çka gjetjet janë edhe më skandaloze, deri tek nëse guxoj me i cilësu në pikën që jemi derisa ta nxjerrim raportin, ajo çka e keni pa e besoj edhe ju gjatë përcjelljes së rasteve, deri tek mundësia e falsifikimit të dokumenteve, shmangia e pyetjeve brenda formularëve të QPS-së, ku do të evidentohej se në fakt, personi i cili ka pasur urdhër mbrojtje, për të cilin ka pasur urdhër mbrojtje që t’i rrijë larg të ndjerës Alinda Zekaj, është evidentuar pyetja brenda formularit që me e identifiku atë si recidivist ose si person që ka kryer një vepër të caktuar më herët. Çka besoj më ka ndikuar te rasti, por për mua është pak e vështirë në pikën të cilën jam si anëtare e komisionit, me nënshkrimin që e kemi bërë për me e ruajt konfidencialitetin e shumë informacioneve që do t’i marrim e po i marrim prej dëshmitarëve, me u thellu ose me dhënë konstatime shumë konkrete. Kemi me dalë besoj me një raport i cili ka me i evidentuar shkeljet që janë bërë gjatë procedurave dhe secili e secila ka me dhënë përgjegjësi”, shtoi ajo.
E pyetur lidhur me përgjegjësitë e institucioneve lokale dhe atyre qendrore si dhe nëse ka pasur bartje të përgjegjësive nga një nivel në tjetrin, Tershani ka thënë se komisioni është duke i shqyrtuar dëshmitë e të gjithë akterëve, ndërsa deri më tani intervistimet janë përqendruar kryesisht në nivelin lokal.
Ajo ka përmendur edhe Komunën e Pejës dhe Ministrinë duke theksuar se komisioni është duke ndjekur një renditje të intervistimeve, nga niveli lokal drejt atij qendror.
“Në fazën që jemi ne jemi duke intervistuar kryesisht përfaqësues të nivelit lokal. Kemi filluar prej poshtë tek lart edhe besoj e keni parë edhe listën e dëshmitarëve që secili ka me dalë para komisionit. E kam thënë edhe më herët, ne nuk jemi komision që siguron që të njëjtit kushdo që i ka shkelur procedurat edhe çkado që konstatohet në fund të hulumtimit tonë, do të shkojë në burg. Ky nuk është fatkeqësisht, si me thënë kompetenca jonë, po kemi me u siguru që me u zbardh secili detaj që ka me ndihmu edhe ka me u evidentu në raportin i cili po ashtu aprovuar dhe miratuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës për të gjitha shkeljet që janë bërë”, ka deklaruar deputetja.
Tershani është pyetur edhe për rolin e saj si anëtare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore dhe Peticione, si dhe për shkeljet kryesore që mund të jenë evidentuar në rastin e Arlinda Zekajt.
Ajo ka sqaruar se ky komision nuk është duke e trajtuar rastin në mënyrë specifike, por është duke u marrë me shqyrtimin e mangësive ligjore dhe zbatimin e legjislacionit që lidhet me mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna me bazë gjinore dhe dhuna ndaj grave.
“Si Komision i të Drejtave të Njeriut, Barazi Gjinore dhe Peticione, si anëtare aty, ne nuk jemi duke u marrë specifikisht me rastin. Normalisht e kemi trajtuar, e kemi sjellë si me thënë, diskutim brenda për brenda komisionit. Ajo çka është duke bërë komisioni momentalisht është në pikën tjetër, domethënë si anëtare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, jemi duke e parë dhe kemi angazhuar ekspertë që ndihmohemi edhe prej akterëve të tjerë, si nga ana logjistike, për me parë se çka, cilat janë mungesat brenda Ligjit për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, dhuna në bazë gjinore, dhuna ndaj grave. Kemi me parë se sa saktë është implementuar apo jo ligji. Kjo është pjesë edhe e planit të veprimit të Komisionit për të Drejtat e Njeriut”, ka përfunduar Tershani.
Arlinda Zekaj dyshohet se u vra nga kunati i saj më 25 tetor, ndërsa bashkëshorti i saj po mbahej në ndalim për kanosje ndaj saj. Vrasja e saj, e cila ndodhi pavarësisht thirrjeve të saj të vazhdueshme për mbrojtje, ka nxitur zemërim të madh dhe protesta në vend.
Në një seancë pas rastit, Kuvendi e miratoi me 90 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim komisionin hetimor me 11 anëtarë, i cili ka për detyrë të zbardhë lëshimet e dyshuara zinxhirore të institucioneve në rastin e 49-vjeçares nga Vitomirica e Pejës.
Komisioni detyrohet që ta përpilojë një raport përfundimtar me gjetjet e hetimit dhe t’ia paraqesë atë Kuvendin brenda një afati prej gjashtë muajve nga data e themelimit. Ky komision buron nga një rezolutë që Kuvendi e miratoi të hënën për hetimin e vrasjes së Zekajt dhe parandalimin e dhunës ndaj grave.