
BDI dhe ASH akuzojnë VLEN për hapjen e derës kapitalit serb në sektorin bankar
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar me shqetësim të thellë lidhur me miratimin e planit për hyrjen e kapitalit serb në sektorin bankar të Maqedonisë së Veriut, përmes vendimit që lejon “ALTA Banka” SHA Beograd të paraqesë ofertë për marrjen e “Stopanska Banka” SHA Bitola.
Sipas njoftimit, Komisioni i Letrave me Vlerë, në mbledhjen e saj të 65-të, të kryesuar nga kryetarja znj. Bujare Abazi – kuadër i VLEN-it – dha lejen zyrtare për këtë procedurë.
BDI ngriti një sërë pyetjesh lidhur me prapaskenat e këtij vendimi:
“A ka pasur në shkurt 2025, në kabinetin e Kryetarit të Kumanovës, Maksim Dimitrievski, në praninë e Zëvendëskryeministrit Stoilkoviç, një takim mes Izet Mexhitit dhe Aleksandar Vulin, gjatë të cilit është diskutuar dhe koordinuar ky investim i madh serb?”, pyet BDI, duke shtuar:
“Nëse ky takim ka ndodhur, cili ishte qëllimi i tij dhe si lidhet me vendimet për dhënien e lejes për ALTA Banka nga institucionet e udhëhequra nga VLEN?”
Sipas BDI-së, ky rast përbën një manipulim të qartë: “Pengesa të mëdha u krijohen iniciativave shqiptare për hapjen e bankave, ndërsa kapitali i dyshimtë serb merr miratim të shpejtë nga institucionet”.
Partia rikujtoi edhe rastet ndërkombëtare: “Banka Qendrore Evropiane në vitin 2024 shprehu shqetësime serioze për pastrim të mundshëm parash nga ALTA Pay, e lidhur me Davor Macura, në përpjekjen për të blerë Addiko Bank në Austri. Si është e mundur që një institucion i yni të japë leje pa transparencë të plotë?”, thuhet në reagim.
BDI kërkon përgjigje të menjëhershme nga kryetari i Kumanovës Maksim Dimitrievski, zëvendëskryeministri Ivan Stoilkoviç dhe Izet Mexhiti, “për të sqaruar motivet, përmbajtjen dhe pasojat e një takimi të tillë, nëse ka ndodhur, dhe për të garantuar që interesat strategjike dhe financiare të vendit nuk cenohen në favor të interesave të ‘botës serbe’”.
“Ky nuk është thjesht një proces ekonomik. Përmes sektorit financiar dhe lehtësive që po u jepen bankave serbe, po instalohet ndikimi direkt i ‘botës serbe’ në Maqedoninë e Veriut. Rrezikohet stabiliteti ekonomik dhe politik i vendit, duke ndikuar në vendimmarrjen institucionale kundër interesave kombëtare dhe qytetare”, thekson BDI.
ASH: Funksionarët e VLEN-it po shkojnë edhe më tej
Me tone të ashpra reagoi edhe Aleanca për Shqiptarët. Kryetari Ziadin Sela kujtoi se ky nuk është rasti i parë i përfshirjes së funksionarëve të VLEN-it në projekte me Serbinë.
“Pas zëvendësdrejtorit të Fondit Pensional, i cili nënshkroi Marrëveshjen me ‘Republika Sërbska’, tani një funksionare tjetër e VLEN-it po shkon edhe më tej, duke fuqizuar investimet e drejtpërdrejta serbe”, tha Sela.
Ai akuzoi se VLEN po punon në kundërshtim me premtimet e veta: “VLEN gjatë fushatës premtoi hapjen e Bankës Shqiptare, ndërsa tani, përmes funksionares së tyre në Komisionin e Letrave me Vlerë, sjellin një bankë serbe si një nga shtyllat më të fuqishme të Botës Serbe”.
Sipas ASH-së, ky është vetëm një hallkë e zinxhirit të gjatë të marrëveshjeve që po instalojnë ndikimin serb në vend:
– Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, pranoi mbi 800 mijë euro donacion nga një kompani serbe për ndërtimin e Kishës;
– Zëvendësdrejtori i Fondit Pensional nënshkroi marrëveshje me “Republika Sërbska” të Millorad Dodikut;
– Bujare Abazi dha leje për hyrjen e ALTA Banka në tregun bankar.
“Qytetarët shqiptarë dhe të gjithë qytetarët e vendit duhet ta dinë: me votën e tyre, VLEN solli në qeveri një partneritet që fuqizon miqtë e Vuçiçit dhe Dodikut, duke e bërë vendin gjithnjë e më të varur nga ‘bota serbe’”, përfundon reagimi i ASH-së.