
BDI kërkon hetim urgjent: Kush qëndron pas sulmit ndaj gazetarit Naser Selmani?
Vetë gazetari Naser Selmani ka bërë të ditur se mëngjesin e sotëm ka gjetur një nga gomat e makinës së tij të dëmtuar me thikë, ndërsa rasti është raportuar në polici.
“Nuk i kam borxh askujt dhe nuk kam konflikt me askënd. Rastin e paraqita në polici dhe njoftova personalisht ministrin e Brendshëm, Pançe Toshkovski, nga i cili kërkova zbardhjen e autorëve dhe inspiratorëve të këtij akti kriminal,” shkroi Selmani.
Ai theksoi se është gazetar dhe qytetar i zakonshëm:
“Nuk jam pjesë e asnjë partie politike, jam vetëm anëtar i Lëvizjes ‘Bota Shqiptare’.”
Selmani i ka bërë thirrje liderëve politikë që të dënojnë sulmin.
“U bëj thirrje kryeministrit Hristijan Mickoski dhe liderëve të partive shqiptare që ta dënojnë këtë akt të shëmtuar kundër lirisë së fjalës. Nëse mendoni se me metoda kriminale mund të më frikësoni, e keni gabim. Keni zgjedhur njeriun e gabuar.”
Ai paralajmëroi se do të dalë vetë me emra nëse organet shtetërore nuk e zbardhin rastin:
“Nëse brenda dy javësh organet e hetuesisë nuk zbulojnë autorët, do të publikoj dyshimet e mia për ata që qëndrojnë pas sulmit.”
Në fund, Selmani shtoi se nëse institucionet nuk e mbrojnë, do të kërkojë mbrojtje nga faktorë ndërkombëtarë.
“Nëse shteti dështon, do të kërkoj mbrojtje nga organizatat ndërkombëtare, si dhe nga Shqipëria e Kosova, për gazetarët dhe shqiptarët e rrezikuar në Shkup.”
BDI: Sulmi ndaj makinës së Naser Selmanit është akt kriminal kundër lirisë së fjalës
BDI ka reaguar ashpër pas sulmit ndaj makinës së gazetarit dhe ish-kreut të SHGM-së, Naser Selmani, duke e cilësuar ngjarjen si “një akt të shëmtuar dhe të papranueshëm”.
“Sulmi ndaj makinës së gazetarit Naser Selmani është një akt i shëmtuar dhe i papranueshëm, që synon frikësimin dhe heshtjen e zërit kritik. Liria e shprehjes dhe siguria e gazetarëve janë themeli i çdo shoqërie demokratike”, theksohet në reagimin e BDI-së.
Nga kjo parti kërkohet reagim i menjëhershëm nga institucionet.
“Kërkojmë nga Ministria e Brendshme dhe institucionet kompetente që të zbardhin menjëherë autorët dhe urdhërdhënësit e këtij akti kriminal. Çdo vonesë ose tentativë për mbulimin e rastit do të kuptohet si bashkëfajësi.”
BDI shprehu solidaritet me gazetarin:
“Shprehim mbështetje të plotë për Naser Selmanin dhe për çdo gazetar që guxon të thotë të vërtetën dhe të mbrojë interesin publik. Sulme të tilla nuk frikësojnë vetëm një individ, ato synojnë të trembin gjithë shoqërinë. Dhe kjo nuk do të lejohet.” Flaka