BDI: VLEN ka dështuar në agjendën evropiane
Dy vjet pas hyrjes së VLEN-it në Qeveri, opozita shqiptare vazhdon të kritikojë punën e koalicionit. Nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, vlerësoi se VLEN ka dështuar të mbrojë interesat e shqiptarëve në ekzekutiv dhe se nuk ka arritur të avancojë agjendën evropiane të vendit. Sipas tij, roli i faktorëve shqiptarë në proceset vendimmarrëse është zbehur, ndërsa integrimi evropian ka mbetur pa përparim. Në kuadër të fushatës së BDI-së me moton “Dy vite nënçmim – VLEN asgjë”, Osmani e cilësoi këtë si dështimin më të madh të koalicionit qeverisës.
BUJAR OSMANI, NËNKRYETAR I BDI-SË
“Dy vite më vonë, rezultatet janë dëshpëruese. Shteti nuk ka bërë as edhe një hap të vetëm substancial drejt Bashkimit Evropian. Në vend të përshpejtimit, kemi stagnim. Në vend të reformave, kemi improvizime. Në vend të agjendës evropiane, kemi politikë ditore. Presidenca e Irlandës e BE -së nuk e përmend fare vendin tonë në agjenden e saj. Ministrat e Vlen përgjegjës për BE, asnjë vizitë në kryeqytetet Evropiane”.
Sipas Osmanit, një tjetër dështim është edhe mospërfitimi i plotë nga mundësitë që ofron Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian. Ai tha se, në vend që vendi të ishte ndër liderët e rajonit në zbatimin e reformave dhe shfrytëzimin e fondeve evropiane, është përballur me vonesa dhe mungesë të vullnetit politik për realizimin e tyre.
BUJAR OSMANI, NËNKRYETAR I BDI-SË
“Por humbjen më të madhe të agjendës evropiane, VLEN ua ka shkaktuar shqiptarëve, votuesve të vet dhe popullit të vet. Dhe këtë nuk e themi ne. Këtë e thotë Brukseli. Këtë e thotë Parlamenti Evropian, i cili rikujton se rruga drejt Brukselit vazhdon të kalojë përmes Ohrit. Në raportin e tij të fundit, Parlamenti Evropian konstaton qartë regres dhe kërkon angazhim të ripërtërirë politik për vazhdimin e rrugës evropiane. Ai kërkon respektim dhe zbatim të plotë të Marrëveshjes së Ohrit dhe paralajmëron se besimi ndëretnik dhe parimi i barazisë nuk guxojnë të vihen në pikëpyetje”.
Nga BDI vlerësojnë se zhvillimet e fundit në procesin eurointegrues dhe raportet ndërkombëtare tregojnë mungesë progresi dhe qasje të dobët politike në drejtim të agjendës evropiane. Sipas tyre, kjo situatë reflekton jo vetëm sfida në nivel shtetëror, por edhe dobësim të rolit politik të shqiptarëve në vendimmarrje.
Samir Mustafa /SHENJA/
BDI: VLEN ka dështuar në agjendën evropiane