Mickoski: Dikasteret janë ndarë me marrëveshje, emrat nesër mbrëma
Ndonëse është arritur marrëveshje për resorët mes kryeministrit Hristijan Mickoski, bashkëkryetarëve të VLEN-it dhe Lëvizjes ZNAM, për atë se kujt do t’i takojnë dhe kush do të udhëheqë ministritë, Mickoski deri nesër në orën 20:00 është në “heshtje zgjedhore”, pasi tha se vendimet për kuadrot do të publikohen nesër në mbrëmje, pas seancës së Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR
“Ne nuk kemi biseduar për zgjidhje personale, për emra. Parimisht kemi marrëveshje për resorët. Unë më herët kam thënë se derisa të përfundojë seanca e Komitetit Ekzekutiv të partisë, nuk do të komentoj as resorë e as emra. Prisni deri nesër rreth orës 20:00, opinioni publik do të informohet në detaje. Deri nesër në orën 20:00 nuk do të komentoj as resorët e as zgjidhjet personale, derisa të mos përfundojë seanca e Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së”.
I pyetur se kur do të ketë informacione për ndryshimet në nivelet e tjera, Mickoski tha se këto aktivitete do të vazhdojnë nga shtatori, pasi siç tha Mickoski, këtë muaj është planifikuar rikonstruimi i Qeverisë dhe poashtu është parashikuar ribalancimi i buxhetit. Sipas tij, Kuvendi në gusht është me pushim, prandaj tha se aktivitetet do të vazhdojnë nga shtatori e tutje.
Samir Mustafa /SHENJA/