Blerant Ramadani prezanton në “ENERGJETIKA 2026” studimin për parashikimin e energjisë së erës
Blerant Ramadani ka prezantuar në konferencën “ENERGJETIKA 2026 – ZEMAK” në Strugë një studim që trajton ndikimin e mungesave në të dhënat SCADA në saktësinë e parashikimit të energjisë së erës.
Studimi është realizuar në bashkëautorësi me prof. Vangel Fustik dhe fokusohet në një nga çështjet me rëndësi për sistemet moderne energjetike – cilësinë dhe vazhdimësinë e të dhënave që përdoren për parashikimin e prodhimit të energjisë nga burimet e ripërtëritshme.
Sipas Ramadanit, rezultatet tregojnë se nuk është e rëndësishme vetëm sasia e të dhënave që mungojnë, por edhe mënyra se si paraqiten këto mungesa në të dhënat SCADA, pasi kjo mund të ndikojë drejtpërdrejt në saktësinë e parashikimeve.
“Nuk mjafton të dish sa të dhëna mungojnë, por ka rëndësi se si mungojnë. Në një sistem që mbështetet gjithnjë e më shumë te burimet e ripërtëritshme, besueshmëria e parashikimit është kusht për stabilitetin e rrjetit”, ka theksuar Ramadani.
Me rritjen e përdorimit të energjisë nga era dhe burimeve të tjera të ripërtëritshme, parashikimet sa më të sakta të prodhimit të energjisë kanë rol të rëndësishëm në planifikimin dhe stabilitetin e sistemit elektroenergjetik.
Prezantimi u zhvillua në kuadër të ENERGJETIKA 2026 – ZEMAK në Strugë, ku u trajtuan tema dhe hulumtime nga fusha e energjetikës dhe zhvillimit të sistemeve energjetike.