
Bremer: Asnjëri nuk e ka vendin e sigurtë në formacion
Skuadra e Juventusit barazoi 0-0 ndaj Romës në kampionat, një rezultat që nuk kënaq shumë “bardhezinjtë”. Gjithsesi, Bremer, mbrojtësi i Juventusit, u shpreh se fakti që skuadra nuk ka pësuar gol ndaj një ekipi të fortë është dicka e rëndësishme.
“Ne donim të fitonim, por në fund ishte një ndeshje e bllokuar, shumë e ekuilibruar. Ishte e rëndësishme të mos pësonim gola, por duhet të punojmë më shumë në fazën sulmuese për të fituar ndeshjen tjetër”, tha Bremer.
“Në pjesën e parë patëm pak raste. Në të dytën, skuadra u hap më shumë, krijuam pak epërsi, por në fund nuk shënuam gol. Duhet të punojmë për këtë, por duke parë se jemi ende në fillimin e sezonit, ku rezultart mund të pranohet”, tha braziliani.
Bremer foli edhe për punën e kryer me trajnerin Motta në këta dy muaj.
“Ne jemi një ekip ambicioz. Ne mbërritëm një javë më vonë, fizikisht nuk ishte e lehtë. Në këto tre ndeshje isha pak i lodhur, por tani jam duke u rikuperuar. Tani kemi 10 ditë për të punuar mirë dhe për t’u kthyer protagonist. Këtu ka shumë të rinj që po bëjnë mirë. Ne mbërritëm më vonë, djemtë e Next Gen kishin dy javë më shumë përgatitje se ne. Trajneri po e sheh këtë, por e rëndësishme është që ekipi është në rrugën e duhur dhe ne duhet të punojmë. Asnjëri nuk e ka vendin e sigurtë në formacion”, tha Bremer.