Bujar Osmani në debat me Mexhitin: Nuk do të ketë më ndërtime pa leje në Çair
Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, në debatin televiziv “Top Tema” në TV Telma me kundërkandidatin e tij, Izet Mexhitin, deklaroi se ndërtimet pa leje dhe korrupsioni janë burimi më i madh i problemeve në komunë dhe se pikërisht ato e kanë mbytur Çairin gjatë dy dekadave të fundit.
“Nëse Çairi dikur duhej të njihej në botë për Çarshinë, për monumentet historike dhe gjelbërimin, sot – për fat të keq – kur përmendet Çairi, mendimi i gjithë shtetit, madje edhe më gjerë, lidhet me ndërtimet pa leje dhe korrupsionin”, tha Osmani.
Ai sqaroi se ekzistojnë tri kategori të ndërtimeve pa leje, por më të rrezikshmet janë ndërtesat komerciale të ndërtuara pa plan urbanistik, mbi tokë shtetërore dhe pa pagesë komunalesh.
“Me këtë është dëmtuar buxheti i shtetit, ndërsa ato para kanë përfunduar diku tjetër. Qytetarët që kanë blerë banesa me kursimet e tyre jetësore sot nuk kanë dokumente pronësie, nuk kanë vende parkimi dhe shumë prej tyre jetojnë në ndërtesa me konstruksion të pasigurt”, theksoi Osmani.
Sipas tij, korrupsioni dhe mafia urbane janë themeli i kolapsit të komunës.
“Në Çair ka raste kur ndërtesat banesore janë legalizuar si apartamente hoteliere vetëm që të paguhen 7 euro për metër në vend të 140. Kështu është shkaktuar një dëm milionësh ndaj buxhetit, ndërsa Çairi është mbytur urbanistikisht”, shtoi ai.
Osmani dënoi ashpër procesin e krimit të organizuar që ka ndodhur për vite me radhë me përfshirjen direkte të komunës dhe mafies urbane.
“I gjithë shteti e di se ky ishte një proces i krimit të organizuar, ku komuna dhe mafia urbane kanë uzurpuar parcelat shtetërore, kanë antidatuar objektet sikur të ishin ndërtuar para vitit 2011 dhe më pas kanë djegur arkivin. Janë qindra milionë euro të nxjerra nga qytetarët”, tha Osmani.