Bujar Osmani: Revitalizim i sallave sportive dhe ndërtim i terreneve të reja për qytetarët e Çairit
Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, në konferencën e sotme për media prezantoi projektet konkrete sportive të parashikuara në programin e tij zgjedhor, duke theksuar se prioritet do të jetë revitalizimi i plotë i infrastrukturës sportive dhe krijimi i zonave sportive të qasshme për të gjithë qytetarët.
Osmani paralajmëroi se fillimisht do të nisë me rikonstruksionin e sallave dhe terreneve ekzistuese sportive, me qëllim që ato të bëhen sërish të qasshme për sportistët dhe qytetarët e Çairit.
“Salla sportive “Enver Idrizi” në Serovë, me të gjitha përmirësimet e nevojshme që do të mundësojnë ofrimin e shërbimeve sportive në përputhje me standardet. Salla sportive “Vasil Gllavinov”, ndërhyrje urgjente, megjithëse e dini që “Vasill Gllavinov” është pjesë e projektit të madh të Mishel Rojkind, i cili përfshin shkollë të re, çerdhe të re, parking nëntokësor dhe kënd lojërash për fëmijë”, deklaroi Osmani.
Ai shtoi se do të pasojnë edhe rikonstruksione të disa sallave në lagje të ndryshme të komunës.
“Salla sportive “Imri Elezi” në lagjen Dizhon, rikonstruksion i plotë i të gjitha shërbimeve. Do të pasojnë gjithashtu edhe: “Liria”, “Shaban Tërstena” dhe “Partizan”, tha Osmani.
Në kuadër të programit sportiv, është parashikuar ndërtimi i terreneve të reja sportive të hapura me ndriçim në disa zona të komunës, të cilat deri më tani kanë qenë të lëna pas dore dhe të pasigurta për fëmijët dhe banorët.
“Do të ndërtojmë terrene të hapura sportive me ndriçim në disa shkolla fillore. Fushë futbolli e hapur në ‘Tefejuz’ në Gazi Babë, hapësirë rekreative për basketboll në ‘Hasan Prishtina’, hapësirë e kombinuar për volejboll dhe basketboll në shkollën fillore ‘Ismail Qemali’ në Fushë Topanë, si dhe instalimin e pajisjeve të reja sportive në lagjet urbane të Fushë Topanës dhe në Parkun e Çairit”, paralajmëroi Osmani.
Osmani theksoi se aktualisht Çairi disponon me katër objekte sportive, nga të cilat asnjëri nuk është plotësisht funksional, ndërsa dy janë të paarritshme për qytetarët pasi janë dhënë me koncesion klubeve private.