Çfarë po ndodh realisht në Poloni? Krizë mes presidentit dhe kryeministrit, policia në Gjykatën Kushtetuese!
Polonia po përballet me një përplasje të ashpër politike dhe institucionale, pasi konflikti mes qeverisë së kryeministrit Donald Tusk dhe presidentit Karol Nawrocki për kontrollin dhe pavarësinë e sistemit gjyqësor ka eskaluar.
Të premten, më 30 tetor, policia u dislokua në ambientet e Gjykatës Kushtetuese në Varshavë, pas protestave që shpërthyen pas pezullimit të kryetarit të saj, Bogdan Święczkowski, dhe zëvendëskryetarit Bartłomiej Sochański.
Vendimi për pezullimin u njoftua nga gjyqtarja Anna Korwin-Piotrowska, e cila pretendoi se drejtuesit e gjykatës po pengonin funksionimin e saj dhe punën e gjyqtarëve të rinj. Kampi i Święczkowskit e kundërshtoi vendimin, duke e cilësuar të paligjshëm.
Situata bëri që presidenti Karol Nawrocki të ndërpresë udhëtimin e tij drejt Senegalit dhe të kthehet në Poloni.
Pse ka shpërthyer konflikti?
Kryeministri Donald Tusk synon të zhbëjë ndryshimet në sistemin gjyqësor të ndërmarra gjatë qeverisjes së partisë konservatore Ligj dhe Drejtësi (PiS), nga viti 2015 deri në vitin 2023. Sipas qeverisë, këto ndryshime kanë cenuar pavarësinë e gjykatave.
Në dhjetor të vitit 2025, edhe Gjykata e Drejtësisë së Bashkimit Evropian konstatoi shkelje serioze të parimeve të pavarësisë gjyqësore lidhur me Gjykatën Kushtetuese polake.
Nga ana tjetër, presidenti Nawrocki dhe opozita PiS akuzojnë qeverinë e Tuskut se po përpiqet të vendosë kontroll politik mbi institucionet gjyqësore.
Dy palë, dy interpretime të Kushtetutës
Tusk pretendon se po rikthen sundimin e ligjit dhe pavarësinë e gjyqësorit, ndërsa Nawrocki dhe PiS e konsiderojnë veprimin e qeverisë shkelje të rendit kushtetues.
Përplasja tashmë ka kaluar përtej mosmarrëveshjeve politike, duke vënë në pikëpyetje autoritetin dhe legjitimitetin e institucioneve më të rëndësishme kushtetuese të Polonisë.
Të dyja palët pretendojnë se po mbrojnë Kushtetutën, por nuk pajtohen se kush ka autoritetin ligjor për të vepruar./Shprehja