Çitaku: Presioni qytetar e detyroi Kurtin të tërhiqet, por sërish abuzoi me zyrën e Presidentit
Anëtaria e Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, thotë se “reagimi publik dhe presioni qytetar e detyruan Albin Kurti të tërhiqet nga përpjekja e tij për ta zgjedhur Presidentin në stil ‘karate’ dhe për ta permbysur rendin kushtetues”.
Ajo shkroi në Facebook se përkundër kësaj, kryeministri në detyrë “bëri aq sa mundi”, duke iu referuar një konference pas mesnate të mbajtur në Presidencë.
“Po, edhe mbrëmë bëri aq sa mundi. Doli dhe abuzoi me zyrën e Presidentit. Albin, nga ajo sallë qytetarëve u drejtohet Presidentja apo Presidenti i zgjedhur. Jo Kryeministri dhe as kandidatja e shumicës”, shkroi Çitaku.
“Shfaqja e mbrëmshme e ilustroi qartë, me zë dhe figurë, se ju në fakt e shihni veten si autoritetin e vetëm në këtë vend: edhe President, edhe Kryeministër, edhe Ministër, edhe Kryeprokuror, edhe gjithçka tjetër. Një shfaqje e turpshme”, shtoi ajo.