Kamberi: Vuçiqi po e zhvendos debatin nga të drejtat e shqiptarëve te akuzat për kërcënim ndaj Serbisë
Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka akuzuar Aleksandar Vuçiqin, se po e sulmon listën e përbashkët të partive shqiptare, duke thënë se kjo çështje duhet të shihet përtej numrit të mandateve që mund të fitojë koalicioni shqiptar në zgjedhjet e 25 tetorit.
Kamberi ka ngritur pyetjen se pse Vuçiqi është kaq i shqetësuar me bashkimin e partive shqiptare në një listë të përbashkët parlamentare.
“Pse A. Vuçiq paraqitet aq i shqetësuar me bashkimin e partive shqiptare në një listë të përbashkët? Kjo sjellje e tij duhet parë përtej numrit të mandateve që mund të fitojë Koalicioni shqiptar”, ka shkruar Kamberi.
Sipas tij, rëndësi nuk ka vetëm numri i deputetëve shqiptarë që do të fitojnë ulëse në Parlament, por edhe mënyra se si do ta përdorin përfaqësimin e tyre politik.
“Çështja nuk është domosdoshmërisht sa deputetë shqiptarë do të hyjnë në Parlament, por çfarë do të përfaqësojnë ata politikisht dhe çfarë mund të bëjnë me atë përfaqësim”, ka theksuar ai.