
Danella Arsovska: Krimi urbanistik në Çair ka pasoja – Stuhia e fundit nxorri në pah Mexhitin dhe Ganiun
Heshtin para kriminelëve në Çair, nuk guxojnë t’u kundërshtojnë, i mbrojnë me jetën e tyre, dhe ua lejojnë të mendojnë se me pushtet dhe para mund të blejnë gjithçka dhe të vazhdojnë krimet sikur gjithçka të jetë normale, kështu thotë Arsovska pas stuhisë që përfshiu Shkupin dhe Çairin, transmeton Flaka
“Ndryshe nga të gjithë njerëzit e ndershëm, këta ndërtojnë pallate shumëkatëshe pa standarde sigurie, pa statikë, pa projekte, pa paguar komunale dhe taksa. Dita kur nuk do të mund ta fshehin dhe ta heshtin më këtë kriminalitet, do të jetë tepër vonë”, tha kryetarja e Shkupit, Danella Arsovska, e cila ndau me ndjekësit e saj në rrjetet sociale edhe video nga moti i keq i djeshëm në Çair.
Në video shihen momentet kur çatia e një objekti shumëkatësh në Çair është shkeputur dhe ka përfunduar në parkingun poshtë ndërtesës, duke dëmtuar disa vetura të parkuara. Sipas raportimeve, objekti i ri banesor ka pësuar dëmtime serioze.
Për fat të mirë, në ato momente nuk kishte lëvizje qytetarësh, dhe rasti ka kaluar vetëm me dëme materiale. Flaka Media