Demiri akuzoi Grubin për keqpërdorim të funksionit, Paçuku kërkon të pritet epilogu
Çështja e ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi u bë pjesë e debatit në emisionin “Debat në Shenja”, ku përfaqësuesit e LSDM-së dhe BDI-së paraqitën qëndrime të ndryshme lidhur me përgjegjësinë politike dhe procedurat që po zhvillohen ndaj tij.
Përfaqësuesi i LSDM-së, Agron Demiri, deklaroi se Grubi ka keqpërdorur funksionet dhe zyrat qeveritare, duke shtuar se veprimet e tij kanë shkaktuar dëm politik.
“Artan Grubi keqpërdori zyrat e qeverisë. E ndëshkoi edhe partia. Ai na bëri dëm”, tha Demiri.
Në reagimin e tij, Ylli Paçuku tha se nuk duhet të nxirren përfundime për figurat politike pa përfunduar procedurat përkatëse.Ai theksoi se për rastin ekziston një proces i hapur dhe se është më e arsyeshme të pritet një vendim institucional para se të jepen vlerësime përfundimtare.
Demiri këmbënguli se Grubi tashmë është përballur me pasoja politike, duke përmendur edhe futjen në listën e zezë të SHBA-së.
Nga ana tjetër, Paçuku tha se BDI-ja ka shprehur vazhdimisht shqetësimin për raste që, sipas saj, mund të kenë elemente të përndjekjes politike, duke shtuar se partia pret që drejtësia të japë përgjigjen përfundimtare edhe në këtë rast.
“Ne besojmë se në shumë raste ka pasur përndjekje politike. Ne dëshirojmë që drejtësia t’i vihet edhe këtij rasti. Kur ka kësi raste, tërhiqen personat, siç është rasti”, tha Paçuku.