
Deputeti i VV’së plot shpresë: Brenda javës mund ta votojmë Kurtin për kryeministër
AA
Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Halil Thaçi, u shpreh i bindur se Albin Kurti mund të votohet shumë shpejt si kryeministër, paçka se nuk është plotësuar kushti për konstituimin e plotë të Kuvendit.
Thaçi tha për RTV21 se mandatari për kryeministër do të jetë kryetari i partisë, Albin Kurti.
“Është e rrugës të mbahet kjo mbledhje dhe ta votojmë mandatarin, me dijen që mandatari për kryeministër është Albin Kurti si subjekti absolut fitues i zgjedhjeve. Fundi javës mendoj, nuk e di, 48 orë para mbajtjes së mbledhjes gjithmonë jemi të njoftuar për këtë mbledhje dhe mendoj se ka kohë gjatë kësaj jave. Po, mund të ketë mbledhje në fund të javës”, tha Thaçi
I pyetur se si mendohet të procedohet me mandatarin për Qeverinë kur ende nuk ka konstitutim të plotë të Kuvendit, Thaçi tha se formimi i institucioneve nuk mund të mbahet peng i Listës Serbe.
“ Nuk duhet të jetë shteti jonë peng i një subjekti politik, subjekti i dyshuar politik sepse kamuflohet si subjekt politik derisa me bindje të plotë, sipas sjelljeve të tyre, janë organizatë terroriste. Nuk është dashur të certifikohen por është faji i disa subjekteve politike për certifikim të Listës Serbe. Ne duhet të ecim tutje të krijojmë institucionet sepse tanimë veçse jemi vonuar”, tha Thaçi.