Dorëzohet Çavi, Barcelona pa Kanselon kundër Real Madridit
Barcelona po përgatitet për një “El Clasico” ndaj Real Madridit pa njërin prej futbollistëve kryesorë të saj, Zhoao Kanselo. Rivalët e vjetër do të takohen të dielën në finalen e Superkupës së Spanjës.
Çavi Hernandez zgjodhi të përfshijë Kanselon në skuadrën e tij, e cila udhëtoi për në Arabinë Saudite pavarësisht se kishte një dëmtim. Çavi mbeti i bindur që portugezi do të jetë i gatshëm për finalen, pasi tregoi se Pedri do të luajë kundër “Los Blancos”, por mbrojtësi i krahut duket se do të humbasë përballjen e nesërme.
Sipas “Sport”, trajneri Çavi ka pranuar tashmë humbjen në përpjekjen e tij për të rikthyer Kanselon. Kësisoj, trajneri i Barcelonës nuk pritet që të ndryshojë diçka në mbrojtje për përballjen ndaj Real Madridit, duke luajtur njësoj si në fitoren 2:0 ndaj Osasunas në gjysmëfinale.