Drejtori i Ferrarit zbulon se si kanë rrjedh bisedat me Luis Hamiltonin
Te Ferrari ka nisur një mini-revolucion këtë vit, me objektiv që makina të jetë sa më konkurruese vitin tjetër, e veçanërisht në vitin 2026, kur hyjnë në fuqi rregullat e reja. Luis Hamilton është piloti që do të afrohet nga 1 janari 2025, ndërkohë që pritet edhe Adrian Njui.
Ardhja e Luis Hamilton në Maranello tronditi jo pak botën e Formula 1 dhe ka elektrizuar tifozët e kuq. Një rol vendimtar në këtë çështje luajti Frederik Vaseur, drejtori i “kokëkuqes”, që foli për prapaskenat e bisedimeve me 7 herë kampionin e botës.
“E di profesionalizmin e tij. Jo se pilotët tanë nuk e kanë, por Luisi ka një vizion të ndryshëm për gjërat dhe ne mund të përfitojmë prej tij. Ai ka përvojë të madhe edhe në fitimin e kampionateve. Ai gjithashtu do të kontribuojë me njohuritë e tij, është dikush që di të bëjë presion mbi ekipin me qëllimin për të arritur përsosmëri”, tha Vasseur.
Transferimi i Hamilton krijoi habi, por jo për francezin.
“Sinqerisht, nuk ishte aspak e vështirë. Mendoj se ai e kishte në mendje prej shekujsh të bashkohej me Ferrarin. Këtë vit u realizua për disa arsye, duke përfshirë faktin që ai kishte mundësinë të largohej nga Mercedesi. Ishte koha e duhur për secilin prej nesh. Mendoj se është një mundësi e mirë për të dhe për ne,” tha në fund Vaseur.