E diela e punës në Kuvend: pas muajsh bllokade u konstituua Kuvendi, pak orë më vonë u zgjodh edhe Qeveria
Kuvendi i Kosovës të dielën, më 13 shtator, u konstituua dhe vetëm pak orë më vonë votoi Qeverinë e re të udhëhequr nga Albin Kurti. Megjithatë, mënyra se si u përmbyll konstituimi i Kuvendit është kundërshtuar nga partitë opozitare, të cilat kanë paralajmëruar adresimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese.
Seanca e Kuvendit vazhdoi të dielën në mëngjes, pasi ditë më parë ishte zgjedhur kryetare Albulena Haxhiu, ndërsa kishte mbetur pa u zgjedhur nënkryetari nga radhët e PDK-së.
PDK-ja nuk mori pjesë në vazhdimin e seancës dhe e tërhoqi përkohësisht kandidaturën e Vlora Çitakut për këtë pozitë, duke thënë se çështja duhet të sqarohet nga Gjykata Kushtetuese. Megjithatë, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e konsideroi të përfunduar procesin e konstituimit, duke argumentuar se Kuvendi nuk mund të mbetet peng i një subjekti politik.
Pas kësaj, Kuvendi procedoi me zgjedhjen e nënkryetarëve.
Nga radhët e LDK-së, Kujtim Shala u zgjodh nënkryetar me 75 vota. Më pas, pas nëntë tentativash, u zgjodh edhe Tanja Vujoviq nga Lista Serbe. Nënkryetare nga komunitetet e tjera joshumicë u zgjodh Emilija Rexhepi, ndërsa Ardian Gola nga LVV-ja ishte zgjedhur një ditë më herët.
PDK-ja dhe Aleanca nuk morën pjesë në këtë proces, ndërsa Lista Serbe mungoi gjatë votimit të disa kandidatëve të saj, duke përmendur arsye shëndetësore.
Kuvendi votoi Qeverinë Kurti 4
Vetëm disa orë pas përmbylljes së procesit të konstituimit, Kuvendi kaloi në pikën për zgjedhjen e Qeverisë së re.
Qeveria e Albin Kurtit u votua me 62 vota për, tetë kundër dhe asnjë abstenim.
Kurti siguroi mbështetjen e deputetëve të LVV-së, si dhe të deputetëve të komuniteteve joserbe, përfshirë votën e Nenad Rashiqit. Kundër votuan tetë deputetë të Listës Serbe.
PDK, LDK dhe Aleanca nuk morën pjesë në votimin e Qeverisë.
Me këtë votim, Albin Kurti siguroi mandatin e katërt si kryeministër i Kosovës, ndërsa përbërja e kabinetit të ri mbeti kryesisht e njëjtë me Qeverinë e tretë të drejtuar nga ai.
Kurti, gjatë prezantimit të programit qeverisës, paraqiti një varg zotimesh, përfshirë rritjen e shtesave për fëmijët, pagën mesatare prej 1,000 eurosh në sektorin publik, investime në mbrojtje mbi një miliard euro për katër vjet, zhvillimin e industrisë vendore të municioneve dhe dronëve, si dhe projekte në turizëm, infrastrukturë dhe digjitalizim.
Opozita paralajmëron Gjykatën Kushtetuese
Pavarësisht formimit të Qeverisë, përplasja politike nuk përfundoi.
PDK-ja kundërshtoi mënyrën se si u konsiderua i përfunduar konstituimi i Kuvendit. Deputeti Përparim Gruda tha se PDK-ja nuk e kishte refuzuar të drejtën për të propozuar nënkryetarin, por ishte tërhequr përkohësisht nga procesi në pritje të interpretimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Duke mos refuzuar, Kuvendi s’ka mundur të konstituohet”, deklaroi Gruda.
Sipas tij, ka edhe çështje të tjera procedurale që duhet të shqyrtohen, përfshirë mënyrën e vazhdimit të seancës dhe zbatimin e Rregullores së Kuvendit.
Edhe Aleanca njoftoi se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Kryetari i saj, Ardian Gjini, tha se pret që kjo çështje të trajtohet me prioritet, duke pretenduar se “themelet e kushtetueshmërisë po lëkunden”.
Edhe LDK-ja e kontestoi mënyrën e konstituimit. Nënkryetari i zgjedhur i Kuvendit, Kujtim Shala, tha se Qeveria është votuar nga një Kuvend që, sipas tij, nuk ishte konstituuar plotësisht.
Kurti kërkon që PDK-ja të rikthehet në Kuvend
Pas votimit të Qeverisë, Kurti u bëri thirrje deputetëve të PDK-së që të rikthehen në procesin parlamentar dhe të propozojnë kandidatin e tyre për nënkryetar të Kuvendit.
Ai tha se institucionet duhet të nisin punën dhe se nuk duhet të humbet kohë me përplasje procedurale.
“Është e domosdoshme që të punojmë e të mos humbim kohë me procedura e me ndërskamca”, tha Kurti.
Ai kërkoi gjithashtu që PDK-ja të angazhohet në punën e komisioneve parlamentare.
Pas Qeverisë, në rend dite vjen presidenti
Me konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, fokusi tash zhvendoset te zgjedhja e presidentit të Kosovës.
Nga ky proces nis të rrjedhë edhe afati kushtetues prej 60 ditësh për zgjedhjen e presidentit. Nëse Kuvendi dështon ta zgjedhë presidentin brenda këtij afati, Kosova mund të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare.
Kështu, edhe pse pas muajsh bllokade Kosova tashmë ka Kuvend të konstituuar dhe Qeveri të re, përplasja për konstituimin e Kuvendit pritet të zhvendoset në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa paralelisht nis procesi për zgjedhjen e presidentit – proces kyç që do të përcaktojë nëse kriza institucionale do të mbyllet apo vendi do të shkojë sërish në zgjedhje.
Përbërja e Qeverisë “Kurti 4”
Kryeministër, Albin Kurti;
Zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca;
Zëvendëskryeministre e dytë dhe ministre e Drejtësisë, Donika Gërvalla;
Zëvendëskryeministër i tretë për Çështje të Pakicave dhe Bashkëpunim, Fikrim Damka;
Ministër i Financave, Hekuran Murati;
Ministër për Punë, Familje dhe Vlera të luftës çlirimtare, Andin Hoti;
Ministër i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci;
Ministër i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla;
Ministër i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu;
Ministër i Shëndetësisë, Arben Vitia;
Ministër i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku;
Ministre e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci;
Ministër i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani;
Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi;
Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli;
Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja;
Ministër i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha;
Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila;
Ministre e Ekonomisë, Artane Rizvanolli;
Ministër për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq;
Ministër për Zhvillim Rajonal, Rasim Demiri.