E kërkojnë katër ekipet e mëdha, por ai dëshiron të luajë vetëm te Barcelona
Mesfushori 21-vjeçar holandez në pronësi të Paris Sen Zhermenit mund të largohet nga kryeqyteti francez dhe t’i bashkohet klubit që e ka rritur. Futbollisti i talentuar është në fakt produkt i klubit “blaugrana”, por në vitin 2019 u transferua në Francë, ku vazhdoi procesin e maturimit derisa u fut në ekipin e parë. Dhe, më pas, u huazua fillimisht te PSV dhe sezonin e fundit te Leipzig.
Në dy sezonet që ka luajtur si i huazuar, 21-vjeçari ka realizuar 32 gola në 91 ndeshje, duke fituar mjaft eksperiencë. Simons u përmirësua shumë në nivel teknik dhe veçanërisht në sezonin e fundit te Leipzig, ku shënoi 10 gola dhe 15 asistime në 43 ndeshje.
Ndaj, Çavi Simons mbetet një lojtar me shumë kërkesa në merkato dhe ofertat për të nuk mungojnë. Kryesisht interesim ka nga Bundesliga, me Bajern Munihun dhe Bajer Leverkusenin, por edhe Man. Junajted dhe Çellsi janë interesuar për të.
Për ta lënë të lirë, PSZH krëkon të paktën 60 milionë euro, por duket se vet lojtari ka të tjera plane. Çavi Simons dëshiron të rikthehet në Spanjë e të riveshë fanellën e Barcelonës, ku do të gjente ish-shokët e skuadrës kur luante me të rinjtë si Gavi, Balde dhe Fermin.