
Edhe një kandidat i pavarur shqiptar për kryetar të Strugës
AA
Avokati strugan Besnik Asani ka njoftuar sot zyrtarisht se do të kandidojë si kandidat i pavarur për kryetar të Komunës së Strugës në zgjedhjet e ardhshme lokale.
Në një postim emocional, ai ka ndarë arsyet dhe motivin e tij për të hyrë në garën politike, duke theksuar se kandidatura e tij buron nga dëshira për ta rikthyer shpirtin dhe identitetin e qytetit të Strugës.
“Struga është një dhimbje e bukur. Sepse çdo gjë që është e bukur, na dhemb kur e shohim të zhduket. Unë nuk jam as ndërtimtar i interesave, as politikan i kompromiseve. Jam një qytetar i thjeshtë, me hallet dhe shpresat e njëjta si çdo strugan tjetër”, – ka deklaruar Asani.
Ai thekson se do të prezantojë një vizion që ia kthen Strugën njerëzve, duke u angazhuar për një qeverisje të hapur, të ndershme dhe të bazuar në dëgjimin e qytetarëve.
Fushata e tij do të jetë, sipas tij, e hapur, pozitive dhe me fokus tek njerëzit, ndërsa fton të gjithë qytetarët që besojnë në një Strugë më të mirë, të bashkohen në këtë përpjekje.
“Bashkohu të veprojmë, sepse STRUGA VEPRON!”, është mesazhi i tij përmbyllës që shoqëron edhe sloganin e fushatës. Kjo kandidaturë e pavarur vjen pas kandidimit të biznesmenit Mendi Qyra.(INA)