Ethet e Nilit Perëndimor, 43 të infektuar, raste të konfirmuara edhe në Çair dhe Qendër
Në vend deri më tani janë regjistruar 43 raste të etheve të Nilit Perëndimor, nga të cilat 40 janë konfirmuar në laborator, ndërsa tek 3 persona të tjerë virusi është konfirmuar nëpërmjet testimit, ka njoftuar ministri i shëndetësisë Sasho Klekovski. Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë, për herë të parë, raste të etheve të Nilit Perëndimor janë regjistruar në komunat Qendër dhe Çair të Shkupit. Klekovski bëri të ditur se është regjisruar edhe një shpend, I pari I ngordhur, I prekur me ethet e nilit perëndimor.
SASHO KLEKOVSKI, MINISTËR I SHËNDETËSISË
“Mushkonjat nuk i njohin kufijtë komunalë, ato lëvizin nga një deri në dy kilometra. Në disa komuna, për shembull në Sopishtë, nuk ka zona me rrezik të lartë, por ka raste. Aktualisht po punojmë me 34 zona rreziku, nga të cilat 13 janë me rrezik të lartë.”
Klekovski tha se si vende të rrezikshme për shumimin e mushkonjave janë gropat septike, varrezat dhe vendet ku magazinohen gomat e vjetra.
SASHO KLEKOVSKI, MINISTËR I SHËNDETËSISË
“Gropat septike janë të rrezikshme për shkak të mundësisë së grumbullimit të ujit, ndërsa në varreza uji mund të qëndrojë në vazot, ku ka edhe materiale organike. Gomat e vjetra, nga ana tjetër, nëse nuk ruhen në mënyrë të përshtatshme, mund të mbledhin ujë dhe të bëhen vende të përshtatshme për shumimin e mushkonjave”.
Sipas të dhënave mjekësore, rreth 80 % e njerëzve të infektuar me ethet e Nilit Perëndimor nuk kanë simptoma ose ato janë të lehta. Rreth 20 % e të infektuarve mund të përjetojnë ethe, dhimbje koke, të vjella dhe skuqje.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/
