Faktorët etiologjik dhe metodat diagnostike të osteoporozës
Vernesa Kryeziu
Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, Fakulteti i Mjekësisë, Prishtinë
QKUK, Prishtinë
Abstrakti
Hyrje: Osteoporoza është një çrregullim skeletor sistemik që karakterizohet me ulje të masës kockore, përkeqësim mikro-arkitektonik i indit kockor që çon në rrallim kockor dhe si pasojë, rritje të rrezikut për fraktura. Është arsyeja më e zakonshme për thyerjen e kockave tek të moshuarit.
Qëllimi: Qëllimi i këtij punimi ishte që të analizohen faktorët etiologjik që luajnë rol në shfaqjen e Osteoporozës. Në kuadër të faktorëve të rrezikut për paraqitjen e sëmundjes, do të analizohen veç e veç të gjithë shkaktarët e mundshëm që kanë luajtur rol negativ. Poashtu do të analizohen metodat bashkëkohore diagnostikuese të sëmundjes.
Materiali dhe metodat: Materiali është mbledhur në librat e protokollit si dhe në historitë e sëmundjeve të pacientëve të shtruar në spital. Gjithsej janë analizuar 57 paciente të gjinisë femërore, pra nuk e kemi asnjë mashkull. Punimi është i tipit të kombinuar, pra retro dhe prospektiv dhe analitik. Të dhënat janë përpunuar me metodat statistikore aktuale duke përdorur madhësitë mesatare të nevojshme. Rezultatet janë paraqitur në tabela dhe grafikone të përshtatshme sipas nevojës.
Rezultatet: Grupmosha më e atakuar nga osteoporoza është ajo 50-59 dhe 60-69 vjeçe, me nga 21 raste ose 36.84% të tyre, pasuar nga grupmosha 70-79 vjeçe me 9 raste ose 15.78 %, dhe grupmosha 40-49 vjeçe me vetëm 6 raste ose 10.52% të tyre. Faktori më i shpeshtë rreziku për osteoporozë është inaktiviteti fizik me 57 raste ose 100% e rasteve, pasuar nga Hipovitaminoza D me 54 raste ose 94.73% të rasteve, postmenopauza me 53 raste ose 92.98 % të tyre, si dhe duhanpirja me 12 raste ose 21.05% të rasteve. Nga matjet me DEXA score, shihet se më së shumti pacient ishin me vlera të T score nga -3.0 deri -3.9 me gjithsej 27 pacient ose 47.36 % të tyre, pasuar nga ata me T score nga -2.5 deri -2.9 me 21 pacient ose 36.84% të tyre, ata me vlerat e T score nga -4.0 deri -4.9 me 6 pacient ose 10.52% të tyre dhe në fund ata me vlerat e T score nga -5.0 deri -5.9 me gjithsej 3 pacient ose 5.26% të tyre. Më së shumti kishte pacient me pamjaftueshmëri të vitaminës D në gjak dhe atë 42 pacient ose 73.68% të tyre, pasuar nga ata që kishin mungesë të vitaminës D gjithsej 12 raste ose 21.05% të tyre, ndërsa vetëm 3 raste ose 5.26% të tyre ishin me vlera optimale të vitaminës D në gjak.
Përfundimi: Ekzistojnë shumë faktorë etiologjik për të shkaktuar osteoporozë, andaj kjo sëmundje është shumë faktoriale dhe si rrjedhoje edhe multidiciplinare. Shumica dërmuese e pacientëve ishin në fazën e postmenopauzës, që do të thotë se ky faktorë etiologjik është kyq në paraqitjen e sëmundjes. Grupmosha më e atakuar ishte ajo nga 50 deri 7 vjeçe. Nivelet e ulëta të vitaminës D u gjetën në shumicën dërmuese të pacientëve që paraqet faktor rreziku me rëndësi në paraqitjen e osteoporozës. Mos aktiviteti fizik poashtu është gjetur tek të gjitha rastet në studim. Duahnpirja dhe përdorimi i kortizonit u gjetën në shume pak raste, megjithatë vlen të theksohet përdorimi i kortizonit pikërisht në rastet që ende nuk ishin në postmenopauzë, gjë që me gjasë ky medikament ishte shkaku i osteoporozës tek këto raste. Metoda e artë dhe kryesore për diagnostikimin e Osteoporozës mbetet metoda e Osteodensitometrisë (DEXA-scan).
Hyrje
Osteoporoza është një çrregullim skeletor sistemik që karakterizohet me ulje të masës kockore, përkeqësim mikro-arkitektonik i indit kockor që çon në rrallim kockor dhe si pasojë, rritje të rrezikut për fraktura. Është arsyeja më e zakonshme për thyerjen e kockave tek të moshuarit.(1) Kockat që thyhen zakonisht përfshijnë shtyllën kurrizore, kockat e parakrahut, kyçin e dorës dhe nyjen coxo femurale.(2,3) Derisa nuk ndodhë thyerje kockore, sëmundja zakonisht nuk ka simptoma. Kockat mund të dobësohen në një shkallë të tillë që mund të ndodhë thyerje nga një traumë e vogël ose thyerje spontane. Pas shërimit të kockës së thyer, personi mund të ketë dhimbje kronike dhe aftësi të zvogëluar për të kryer aktivitete normale.(1)
Humbja e masës kockore rritet pas menopauzës për shkak të niveleve më të ulëta të estrogjenit, dhe pas ‘andropauzës’ për shkak të niveleve më të ulëta të testosteronit.(4) Osteoporoza mund të ndodhë gjithashtu edhe për shkaqe tjera duke përfshirë alkoolizmin, anoreksinë, hipertiroidizmin, sëmundjet e veshkave dhe heqjen kirurgjikale të vezoreve. Përdorimi i disa barnave gjithashtu rrisin shkallën e humbjes së masës kockore, duke përfshirë disa barna kundër konvulsioneve, disa kimioterapeutik, frenuesit e pompës së protonit, frenuesit selektivë të rimarrjes së serotoninës dhe glukokortikoidet. Pirja e duhanit dhe mos aktiviteti fizik janë gjithashtu faktorë rreziku.(1) Osteoporoza përkufizohet si një densitet kockor prej 2,5 devijime standarde nën atë të një të rrituri të ri. Kjo matet zakonisht me anë të absorbimit me rreze X me energji të dyfishtë (DXA ose DEXA), metodë e cila quhet Osteodensitometri ndërsa aparatura quhet Osteodensitometër. Kjo metodë aktualisht është standard i artë në diagnostikimin e Osteoporozës vlerat e së cilës janë: T score ≥ -1.0 normal, T score -1 deri -2.5 osteopeni, T score ≤ -2.5 osteoporozë. (5)
Parandalimi i osteoporozës përfshinë dietën e duhur dhe të balancuar gjatë fëmijërisë, terapinë zëvendësuese hormonale për gratë në menopauzë dhe përpjekjet për të shmangur medikamentet që rrisin shkallën e humbjes së masës kockore. Përpjekjet për të parandaluar thyerjen e kockave tek pacientët me osteoporozë përfshijnë dietën e pasur me minerale dhe vitamina, stërvitjet dhe parandalimin e traumave dhe sforcimeve. Ndryshimet e stilit të jetesës si ndërprerja e duhanit dhe mos konsumimi i alkoolit gjithashtu mund të ndihmojnë.(1) Medikamentet bisfosfonate janë të dobishme për të ulur rrezikun e thyerjes së kockave në të ardhmen tek pacientët që në të kaluarën kishin thyerje kockore për shkak të osteoporozës. Te pacientët me osteoporozë, por pa thyrje kockore në të kaluaren, ato janë më pak efektive.(6,7,8)
Osteoporoza bëhet më e zakonshme me kalimin e moshës. Rreth 15% e kaukazianëve në të 50-at e tyre dhe 70% e atyre mbi 80 vjeç, janë të prekur nga osteoporoza.(9) Është më e zakonshme tek femrat se sa tek meshkujt.(1) Në botën e zhvilluar, në varësi të metodës së diagnostikimit, preken 2% deri në 8% të meshkujve dhe 9% deri në 38% të femrave.(10) Rreth 22 milion gra dhe 5.5 milionë burra në Bashkimin Evropian kishin osteoporozë në vitin 2010.(11) Në Shtetet e Bashkuara në vitin 2010, rreth 8 milion gra dhe midis 1 dhe 2 milion burra kishin osteoporozë.(12) Njerëzit e bardhë dhe aziatikët janë më të rrezikuar.(3) Fjala “osteoporozë” rrjedh nga greqishtja që bëhet fjalë pra për “kockat poroze”.(13)
Qëllimi i punimit
Qëllimi i këtij punimi ishte që të analizohen faktorët etiologjik që luajnë rol në shfaqjen e Osteoporozës. Në kuadër të faktorëve të rrezikut për paraqitjen e sëmundjes, do të analizohen veç e veç të gjithë shkaktarët e mundshëm që kanë luajtur rol negativ. Poashtu do të analizohen metodat bashkëkohore diagnostikuese të sëmundjes.
Materiali dhe metodat
Të dhënat janë mbledhur nga historitë e pacientëve me sëmundje reumatizmale, të hospitalizuar në Klinikën e Reumatologjisë, të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, në Prishtinë, gjatë periudhës kohore gjashtëmujore, Janar – Qershor, të vitit 2023!
Nga këto histori, është analizuar anamneza si dhe markerët laboratorik dhe imazherik të hulumtuar gjatë spitalizimit të tyre! Gjithsej janë analizuar 57 pacientë të gjinisë femërore, pra nuk e kemi asnjë mashkull. Punimi është i tipit të kombinuar, pra retro dhe prospektiv dhe analitik. Të dhënat janë përpunuar me metodat statistikore aktuale duke përdorur madhësitë mesatare të nevojshme. Rezultatet janë paraqitur në tabela dhe grafikone të përshtatshme sipas nevojës.
Rezultatet
Pas analizës dhe përpunimit te të dhënave, janë përfituar rezultatet si vijon: Të gjitha pacientet e analizuara, i takojnë gjinisë femërore, pra nuk kemi asnjë mashkull.
Tabela 1. Numri i pacientëve sipas grupmoshës
Grupmosha më e atakuar nga osteoporoza është ajo 50-59 dhe 60-69 vjeçe, me nga 21 raste ose 36.84 % të tyre, pasuar nga grupmosha 70-79 vjeçë me 9 raste ose 15.78 %, dhe grupmosha 40-49 vjeçe me vetëm 6 raste ose 10.52% të tyre.
Grafiku 1. Paraqitja grafike e pacientëve sipas grupmoshës
Tabela 2. Numri i pacientëve sipas faktorëve etiologjik
Faktori më i shpeshtë rreziku për osteoporozë është inaktiviteti fizik me 57 raste ose 100% e rasteve, pasuar nga Hipovitaminoza D me 54 raste ose 94.73% të rasteve, post menopauza me 53 raste ose 92.98 % të tyre, si dhe duhanpirja me 12 raste ose 21.05% të rasteve.
Grafiku 2. Paraqitja grafike e faktorëve etiologjik
Tabela 3. Numri i pacientëve sipas vlerave të T score
Nga matjet me DEXA score, shihet se më së shumti pacient ishin me vlera të T score nga -3.0 deri -3.9 me gjithsej 27 pacient ose 47.36 % të tyre, pasuar nga ata me T score nga -2.5 deri -2.9 me 21 pacient ose 36.84% të tyre, ata me vlerat e T score nga -4.0 deri -4.9 me 6 pacient ose 10.52% të tyre dhe në fund ata me vlerat e T score nga -5.0 deri -5.9 me gjithsej 3 pacient ose 5.26% të tyre.
Tabela 4. Numri i pacientëve sipas vlerave të vitaminës D
Më së shumti kishte pacient me pamjaftueshmëri të vitaminës D në gjak dhe atë 42 pacient ose 73.68% të tyre, pasuar nga ata që kishin mungesë të vitaminës D gjithsej 12 raste ose 21.05% të tyre, ndërsa vetëm 3 raste ose 5.26% të tyre ishin me vlera optimale të vitaminës D në gjak.
Grafiku 3. Paraqitja grafike e pacientëve sipas vlerave të vitaminës D
Diskutimi
Osteoporoza, një problem i madh i shëndetit publik, po bëhet gjithnjë e më e përhapur me plakjen e popullsisë botërore. Osteoporoza është një çrregullim skeletor i karakterizuar nga komprometimi i forcës së kockave, i cili e predispozon individin për një rrezik të shtuar të frakturave të kofshës, shtyllës kurrizore dhe zonave të tjera skeletore. Pasojat klinike dhe barra ekonomike e kësaj sëmundjeje kërkojnë masa për të vlerësuar individët që janë në rrezik të lartë dhe për të lejuar ndërhyrjen e duhur. Shumë faktorë rreziku ndërlidhen me osteoporozën, duke përfshirë faktorët hormonalë, përdorimin e barnave të caktuara (p.sh., glukokortikoidet), tymosjen e duhanit, aktivitetin e ulët fizik, marrjen e ulët të kalciumit dhe vitaminës D, racën, përmasat e vogla të trupit, dhe një histori personale ose familjare për frakturës. Për shkak se rreziku i frakturave osteoporotike është më i lartë tek gratë e moshuara sesa tek burrat e moshuar, të gjitha gratë në postmenopauzë duhet të vlerësohen për shenja të osteoporozës gjatë ekzaminimeve fizikale rutinore.(14)
Vitamina D (VD) është thelbësore për homeostazën e kockave, por është gjithashtu e përfshirë në efektet pleiotropike në organe dhe inde të ndryshme. Tek të rriturit, mungesa e VD mund të shkaktojë ose përkeqësojë osteoporozën dhe të shkaktojë osteomalaci. Në fakt, mungesa e VD rrit rrezikun e osteoporozës dhe disa sëmundjeve dhe komplikimeve të tjera të karakterizuara nga metabolizmi i dëmtuar i kockave, të tilla si sëmundjet autoimune, sëmundjet inflamatore të zorrëve, alergjitë, sëmundjet endokrinologjike, tumoret malinje hematologjike dhe transplantimi i palcës kockore. (15)
Shëndeti i dobët i kockave ka një ndikim tejet negativ në Britaninë e Madhe, si për sa i përket sëmundshmërisë ashtu edhe vdekshmërisë si dhe kostot financiare. Pirja e duhanit është pranuar prej kohësh si një faktor rreziku për shëndetin e dobët të kockave pasi ndikon në metabolizmin e hormoneve, peshën trupore, nivelet e vitaminës D, përthithjen e kalciumit, qarkullimin e gjakut dhe rrit stresin oksidativ duke prishur kështu resorbimin dhe formimin e shëndetshëm të kockave, dhe duke çuar te osteoporoza. Rrjedhimisht, duhanpirësit kanë një rritje prej 25% të rrezikut të frakturave dhe kanë gati dy herë më shumë gjasa për të përjetuar fraktura të ijëve. Tymosja e duhanit gjithashtu vonon shërimin e kockave pas operacioneve për riparimin e frakturave. Megjithatë, ndërprerja e duhanpirjes, është treguar se e kthen pjesërisht rrezikun e pësimit të frakturave, Prandaj, në udhëzimet kombëtare për parandalimin dhe trajtimin e osteoporozës, këshillohet ndërprerja e duhanpirjes. (16)
Osteoporoza dhe frakturat e lidhura me të, shkaktojnë sëmundshmëri dhe vdekshmëri të konsiderueshme në mbarë botën dhe rezultojnë në kosto të mëdha për individët dhe shoqërinë e prekur. Zgjedhjet e stilit të jetesës përgjatë jetëgjatësisë, ndikojnë në osteoporozë dhe rrezikun e frakturave. Aktiviteti fizik është një strategji e zbatueshme për parandalimin dhe trajtimin e masës së ulët kockore. Pra, është tashmë e vërtetuar dhe e provuar se aktiviteti fizik, shton masën muskulore dhe atë kockore.(17)
Osteoporoza e induktuar nga kortikosteroidet është forma më e zakonshme e osteoporozës dytësore dhe shkaktari i parë tek të rinjtë. Humbja e kockave dhe rritja e shkallës së frakturave, ndodhin herët pas fillimit të terapisë me kortikosteroide, dhe më pas lidhen me dozën dhe kohëzgjatjen e trajtimit.(18)
Nga të gjitha rastet e studiuara në punimin tone, shumica prej tyre, ose 92.98% të rasteve ishin në fazën e postmenopauzës. Kjo do të thotë se kjo faze e jetës tek femrat është pothuajse faktor kryesore rreziku për të shkaktuar osteoporozë.
Mosha e pacientëve është poashtu faktorë rreziku. Sa më e madhe mosha, aq më e madhe është gjasa për osteoporozë. Në rastin tone gupmosha më e atakuar ishte ajo 50 deri 70 vjeç me mbi 73% të rasteve.
Faktor tjetër rreziku që vlen të theksohet është nivelet e ulëta të vitaminës D të cilat u gjetën në masë shumë të madhe. Prej të gjitha pacienteve në studim, 94.73 % të tyre kishin nivele të ulëta të vitaminës D në gjak. Kjo situatë na inkurajon që me urgjencë duhet të përpiqemi që të bëjmë të pamundurën që në popullatë të ndryshohet stili i të ushqyerit, që sa më shumë të promovohen dietat me shumë vitamina e minerale, e sa më pak ushqime të njëllojta dhe të këqija.
Një ndër faktorët e rrezikut për osteoporozë ishte edhe mosaktiviteti fizik i cili në pacientet e studiuara nga ne u gjet 100% të rasteve. Asnjë paciente nuk ka theksuar që merret me ndonjë aktivitet fizik, madje nuk ka bëre as edhe 1 kilometër ecje gjatë 24 orëve, gjë që është mjaft shqetësuese, dhe ku shtohet nevoja të punohet ndoshta më së shumti që të ndryshohet kjo veti e të jetuarit në mbarë popullatën tonë, sidomos me grupet e rrezikuara siç janë femrat në kohën e postmenopauzës.
Duhanpirja dhe përdorimi i kortikoideve u gjeten në pak raste, andaj nuk kishin ndonjë rëndësi sinjifikante në studimin tone. Sa i përket përdorimit të kortizonit, vlen të theksohet se në këtë studim, ky medikament është përdorur nga pacientet të cilat ende nuk ishin në fazën e post menopauzës, andaj me gjasë faji për osteoporozë tek këto paciente ishte pikërisht përdorimi për kohë te gjatë i këtij preparati, i shoqëruar edhe me disa faktorë tjerë rreziku.
Përfundimi
Ekzistojnë shumë faktorë etiologjik për të shkaktuar osteoporozë, andaj kjo sëmundje është shumë faktoriale, dhe si rrjedhoje edhe multidiciplinare.
Shumica dërmuese e pacienteve ishin në fazën e postmenopauzës, që do të thotë se ky faktor etiologjik është kyç në paraqitjen e sëmundjes.
Grupmosha më e atakuar ishte ajo nga 50 deri 70 vjeç.
Nivelet e ulëta të vitaminës D u gjetën në shumicën dërmuese të pacienteve që paraqet faktor rreziku me rëndësi në paraqitjen e osteoporozës.
Mosaktiviteti fizik poashtu është gjetur tek të gjitha rastet në studim.
Duhanpirja dhe përdorimi i kortizonit u gjetën në shumë pak raste, megjithatë vlen të theksohet përdorimi i kortizonit pikërisht në rastet që ende nuk ishin në postmenopauzë, gjë që me gjasë ky medikament ishte shkaku kryesorë i osteoporozës tek këto raste.
Metoda e artë dhe kryesore për diagnostikimin e Osteoporozës mbetet Osteodensitometria (DEXA-scan). /Medicus/
Literatura