Federata e Anglisë merr vendimin për trajnerin Geret Sauthgejt
Federata Angleze e Futbollit (FA) thuhet se ka marrë një vendim për të ardhmen e Garet Sauthgejtin përpara finales së Euro 2024. Të dielën mbrëma, Sauthgejti do t’i udhëheqë “Tre Luanët” në finalet e “Euro 2024”, ndërsa ata do të përballen me Spanjën në Olympiastadion në Berlin.
Përpara turneut, Sauthgejt pranoi se “Euro 2024” mund të ishte shansi i tij i fundit për të fituar një trofe si trajner i Anglisë.
“Nëse nuk fitojmë, ndoshta nuk do të jem më këtu. Pra, ndoshta është shansi i fundit. Mendoj se rreth gjysma e trajnerëve kombëtarë largohen pas një turneu – kjo është natyra e futbollit ndërkombëtar. Unë kam qenë këtu pothuajse tetë vjet tani dhe ne jemi afruar. Nuk mund të vihesh vazhdimisht para publikut dhe të thuash “Pak më shumë të lutem”, pasi në një moment njerëzit humbasin besimin”, ka thënë Sauthgejt për gazetën “Bild”.
Tani, përpara finales kundër Spanjës, është pretenduar se FA ka marrë një vendim në lidhje me të ardhmen e Sauthgejt.
Sipas mediumit kredibil “The Telegraph”, FA dëshiron që Sauthgejt të mbetet si trajner i Anglisë pavarësisht nëse ata fitojnë apo humbin finalen të dielën.
“Kontrata e Sauthgejt zgjat deri në dhjetor me bisedimet për të ardhmen e tij u lanë deri pas Evropianit. Por, drejtuesit e FA duan që Sauthgejt të zgjasë kontratën e tij dhe të udhëheqë Anglinë në Kupën e Botës 2026, pavarësisht se si do të shkojnë kundër Spanjës”, thuhet në raport.
Besohet se FA do ta shohë “Euro 2024”, si një tjetër sukses edhe nëse nuk arrin të ngrejë trofeun.
Një rishikim i plotë thuhet se do të bëhet pasi turneu në Gjermani të përfundojë