Filipçe: Maqedonia nuk është në mesin e katër vendeve me udhërrëfyes të qartë drejt anëtarësimit në BE
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, sot në konferencën për media në Kuvend deklaroi se Maqedonia nuk është në mesin e katër vendeve për të cilat, sipas tij, ekziston udhërrëfyes i qartë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030. Në prag të vizitës së paralajmëruar të kryetares së Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, ai i bëri thirrje kryeministrit Hristijan Mickoski të mos e vendosë në pikëpyetje të ardhmen evropiane të vendit.
“Deri në vitin 2030, dera e Evropës është e hapur, Shqipëria, Mali i Zi, Ukraina dhe Moldavia do të bëhen shtete anëtare. Ne nuk jemi atje. Nuk e di nëse jeni të vetëdijshëm për peshën politike të këtij momenti në të cilin, pas rreth 30 vitesh, jemi në qorrsokak për Evropën, me dëshirën personale të Hristijan Mickoskit. A jeni të vetëdijshëm se ekziston një udhërrëfyes i qartë dhe i pastër për katër vende dhe ne nuk jemi atje”, tha Filipçe.
Ai e kritikoi qëndrimin e Mickoskit në lidhje me mbrojtjen e emrit, gjuhës, kulturës dhe identitetit, duke vlerësuar se ato janë ruajtur me marrëveshjen ndërkombëtare. Filipçe paralajmëroi se, sipas tij, vazhdimi i politikës së izolimit do të nënkuptojë varfëri dhe migrim.
I pyetur për deklaratat në lidhje me reliket e mbretit Samoil, Filipçe tha se çështjet historike duhet tu lihen historianëve.
“Unë historinë do t’ua lija historianëve. Unë dua të flasim për të ardhmen. Historianët le të flasin për atë çka ka qenë, si ka qenë”, tha Filipçe.
Në prag të vizitës së Fon der Lajenit, ai i dërgoi kritika kryeministrit. “Hristinanin dua ta porosis, le të mendojë mirë. Nëse duhet sonte, le të mos flejë. Çka do t’i thotë nesër Fon der Lajenit? Të mos luhet me të ardhmen e vendit, sepse mund ta gjykojnë gjeneratat e ardhshme”, porositi Filipçe.