
”Fitore bullgare” apo “turp evropian”? – Reagime të ashpra pas fshirjes së identitetit maqedonas nga raporti i BE
AA
Miratimi i raportit të Parlamentit Evropian për përparimin e Maqedonisë së Veriut ka shkaktuar një valë reagimesh të forta si në Shkup, ashtu edhe në Sofje. Ndërsa në Maqedoni vendimi për të hequr referencat ndaj “identitetit dhe gjuhës maqedonase” u përjetua si padrejtësi dhe përpjekje për bllokim të rrugës evropiane, në Bullgari ky zhvillim u cilësua si “fitore diplomatike”.
Euroambasadori në Shkup, Mihalis Rokas, sqaroi se identiteti dhe gjuha nuk janë pjesë e kornizës negociuese me BE-në, dhe se ato më së miri mbrohen përmes anëtarësimit të plotë në Union.
Eurodeputetja sllovene me origjinë maqedonase, Irena Joveva, theksoi se Parlamenti Evropian nuk ka asnjë të drejtë të vendosë për çështje të identitetit kombëtar. Ajo e cilësoi të papranueshme fshirjen e këtyre referencave dhe i bëri thirrje qytetarëve të mos bien pre e propagandës politike.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit bullgarë si Bojko Borisov dhe ministri Georg Georgiev e përshëndetën ndryshimin e raportit, duke e quajtur sukses të bashkërenduar të institucioneve bullgare për mbrojtjen e interesave kombëtare.
Kryeministri maqedonas Hristijan Mickoski reagoi ashpër, duke e cilësuar ditën e miratimit të raportit si një dëshmi të padrejtësive që po i bëhen popullit maqedonas dhe kërkoi unifikim rreth interesave kombëtare.
Raporti, megjithatë, përfshin vlerësime pozitive për reformat dhe e mbështet qasjen evropiane të Maqedonisë së Veriut, por heqja e referencave për identitetin dhe gjuhën ka lënë një shije të hidhur në opinionin maqedonas.(INA)