
Fitore Pacolli flet pasi u kërcënua nga një qytetar: Sulmoi asistentin tim, futi dorën në ҫantë, dyshoj se kishte armë
AA
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli sot është përballur me një qytetar në një kafene, i cili I është drejtuar me fjalët ‘hajneshë’ dhe duke hedhur akuza në drejtim të saj.
Me këtë ngjarej më pas është marrë edhe Policia e Kosovës.
Deputetja Pacolli më pas ka reaguar në Facebook. Ajo shkruan se është përballur më një akt të rëndë kërcënimi nga Agim Pllashniku, qytetar ky që sipas saj njihet për të kaluarën e tij të dhunshme.
Pacolli në detaje ka treguar se si ka ndodhur ngjarja e sotme.
Postimi i plotë:
Sot, në ambientet e lokalit “Home”, u përballa me një akt të rëndë kërcënimi dhe sulmi verbal nga një person i quajtur Agim Pllashniku. Ky individ njihet në publik dhe nga autoritetet për të kaluarën e tij të dhunshme. Ky sulm nuk ishte aspak spontan, ishte i organizuar dhe i mirëkoordinuar.
Videoja që po qarkullon në rrjetet sociale është incizuar nga gruaja ose vajza e tij, të cilat ishin të pranishme në vendngjarje. Gruaja është e punësuar në institucionin e Avokatit të Popullit, ndërsa vajza pritet të jetë kandidate për Asamblenë Komunale nga radhët e PSD-së.
Kjo video nuk është e plotë. Ajo është prerë dhe manipuluar për të fshehur sulmin e tij ndaj meje si dhe momentin kur agresori e sulmon fizikisht asistentin tim, si dhe çastin kur tenton të fusë dorën në çantën që mbante në krah, një çantë për të cilën dyshohet se mund të ketë pasur armë.
Agim Pllashniku u afrua me tonë e mënyrë kërcënuese pranë tavolinës ku isha ulur, duke shfaqur qartazi qëllime agresive dhe provokuese.
Dëshmitarë të drejtpërdrejtë të këtij incidenti ishin përfaqësues të institucionit të Avokatit të Popullit, përfshirë edhe vetë Avokatin e Popullit, si dhe zyrtarë policorë në uniformë, të cilët ndodheshin në lokal në momentin e ngjarjes.
Disa portale, “gazetarë” dhe “analistë”, të financuar nga oligarkë dhe interesa të tyre të errëta, po e portretizojnë këtë sulm të rrezikshëm si një akt “heroik”, duke mbrojtur agresorin dhe duke tentuar ta paraqesin dhunuesin si viktimë.
Këto portale nuk kanë për qëllim informimin e publikut. Ato janë kthyer në instrumente të dhunës së organizuar dhe sistematike kundër meje, duke përhapur qëllimisht urrejtje, kërcënime, shpifje, thirrje për sulme verbale e fizike, si dhe dhunë politike e psikologjike, me qëllimin e vetëm për të më detyruar të tërhiqem nga angazhimi im politik.
Këto veprime tashmë përbëjnë përgjegjësi penale.
Unë nuk do të frikësohem.
Nuk do të hesht.
Nuk do të tërhiqem.
Do të vazhdoj, sypatrembur dhe e palëkundur, rrugën time të drejtë.
Dhe nuk do të lejoj që e vërteta të deformohet nga ata që përkrahin dhunën dhe krimin.