
Fjalimi i Siljanovskës në OKB, Ruzhin: Elitat politike në vend, ndër vite i janë shmangur debateve të rëndësishme
AA
Shumica e liderëve shfrytëzuan foltoren e samitit të OKB-së për të treguar qëndrimin e tyre në mbështetje të Gazës dhe Palestinës. Por presidentja e Maqedonisë Gordana Siljanovska Davkova, zgjodhi një tjetër narrativë. Ajo u fokusua te barazia e grave duke theksuar se ky është një parakusht për paqe, prosperitet dhe zhvillim të qëndrueshëm. Njohësit e politikave të jashtme thonë se nuk është aspak befasi që presidentja gjen justifikime që ta ndryshojë temën.
“Një proverbë e vjetër afrikane thotë, kur rrihen elefantët, vuan bari, gjegjësisht kur rrihen të mëdhenjtë dhe nuk ka mirëkuptim mes tyre, të vegjlit, të dobëtit, janë humbësit më të mëdhenj. Ne jemi shtet i vogël, e shohim se të parët që e pranuan Palestinën ishin shtetet e mëdha, përveç Sllovenisë, megjithatë Sllovenia është tregim tjetër. Nga ana tjetër e dimë se kjo qeveri dhe presidentja po ashtu, më shumë janë të disponuar ta ndjekin politikën e SHBA-ve, se sa të Bashkimit Evropian. Kështu që mendoj nuk është aspak befasi që presidentja gjen justifikime të ndryshme që ta ndryshojë temën”, tha Ruzhin, ish ambasador.
Ruzhin thotë se të gjitha elitat politike në shtet, ndër vite, u janë shmangur debateve të rëndësishme, dhe kjo e shpjegon përse njohja e Palestinës nga Maqedonia e Veriut do të presë ende.
“Shumë debate të rëndësishme në shtet shmangen dhe jo vetëm nga kjo Qeveri, edhe më herët, thjeshtë ekziston ose mos kompetencë, ose frikë, ose kujdes, të mos bëhet ndonjë gabim. Ne jemi shtet i vogël ballkanik, prandaj elita që udhëheq tani me shtetin, dëshiron t’i mbaj raportet e mira edhe me SHBA-të edhe me Izraelin edhe me BE-në, kështuqë njohja e Palestinës, do të pret pak, kur bëhet fjalë për pozicionin e vendit lidhur me këtë çështje”, u shpreh Nano Ruzhin, ish Ambasador.
Ndërkohë nisma “Të gjithë për Palestinën”, në prag të fillimit të debatit të përgjithshëm të OKB-së, i dërgoi një letër presidentes Gordana Siljanovska Davkova, duke i rikujtuar asaj se në OKB zëri i Maqedonisë së Veriut, duhet ta përfaqësojë zërin e qytetarëve dhe jo interesat ekonomike dhe politike të individëve. Ata kërkuan që vendi publikisht menjëherë ta dënojë gjenocidin mbi popullin palestinez dhe ta njoh Palestinën. /Alsat.mk