“Fjuri shkon në strofkën e Usyk-ut, por tani kërkon revansh të plotë”
E gjithë bota e boksit pret me padurim 21 dhjetorin, kur në Riad të Arabisë Saudite do të zhvillohet revanshi i peshave të rënda në boks mes britanikut Tajson Fjuri dhe ukrainasit Oleksandr Usyk. Ky i fundit fitoi në maj të këtij viti sfidën e parë me vendim të gjyqtarëve, duke u shpallur kampion i padiskutueshëm i botës.
Fjuri ka deklaruar se do të hakmerret për atë humbje dhe së shpejti do të nis kampin përgatiror, që këtë herë do ta kryejë në Maltë. Promotori i Fjuri, Frank Uarren, tha se këtë herë britaniku do të vijë në ring me një mentalitet të ri, duke hequr dorë nga gabimet e herës së fundit.
“Mentaliteti i tij është fitorja me nokaut teknik, se duhet ta hedhë në tapet për të fituar. Mendoj se revanshi do të jetë emocionues”, tha Uarren për “Sky Sports”.
Pra, Fjuri do të kërkojë të bëjë disa rregullime në stilin e tij të boksimit në revansh.
“Tajsoni e di se e la fitoren t’i ikë nga duart, ndaj është motivuar shumë për të fituar më 21 dhjetor. Ai nuk kishte humbur më parë. Zakonisht, ata që humbin një duel marrin disa fitore të lehta dhe rikthehen, por Fjuri po shkon përsëri në strofkën e luanit. Ai nuk ka frikë, kjo është një sfidë e madhe për të. Të gjithë mezi presin revanshin. Sfida e parë ishte ndoshta një nga luftimet më të mira të peshave të rënda të shekullit të 21-të”, tha Frank Uarren.