Gani Geci: Kurti tentoi ta përçajë familjen Jashari, bravo Rifatit që e shpëtoi nga ky kurth
Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Gani Geci, ka reaguar pas publikimit të 15 nënshkrimeve të LDK-së, duke lëshuar akuza të rënda ndaj kryeministrit Albin Kurti për lojëra prapaskenash me familjen emblematike Jashari.
Sipas Gecit, lëvizjet e fundit të Kurtit me emra kandidatësh nuk ishin asgjë tjetër veçse tentativë për të krijuar ndasi brenda kullës së Jasharëve në Prekaz.
“Albin Kurti… tentoi ta përçajë familjen Jashari: fillimisht tentuan ta propozojnë Murat Jasharin dhe, pas refuzimit të tij, pas një muaji tentuan ta propozojnë vëllain e tij, Bekim Jasharin. Bravo Rifat Jashari që e ruajte familjen tuaj nga kjo përçarje”, ka shkruar Geci.
Geci vlerëson se pas dështimit të seancës doli në pah e vërteta se Kurti nuk e ka pasur synim primar zgjedhjen e Vjosa Osmanit, por krijimin e krizave dhe kalkulimeve politike.
Ai ka përgëzuar kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, që ka dëshmuar se i ka 15 nënshkrimet e nevojshme, duke ia prishur kështu narrativën Kurtit.