Gani Geci në polici
Gazeta Nacionale ka mësuar nga burime brenda Policisë se Gani Geci është shoqëruar në polici vetëm për sqarim, pasi policët e kanë marrë pranë stacionit të B92 në Prishtinë.
Shoqërimi i ish-deputetit vjen pas incidentit me gazetarin Lirim Mehmetaj. Ky i fundit ka deklaruar se është kërcënuar nga familja Geci pas një postimi kritik ndaj deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci.
Më pas, gazetari tregoi se ishte kontaktuar nga anëtarë të familjes Geci, të cilët, sipas tij, i kërkuan ta hiqte shkrimin.
“Prej familjes Geci mua më kanë thirrë, më kanë thënë me hjekë postimin. Unë i kam thënë jo”, deklaroi Mehmetaj.
Ai tha se pas një takimi në zyrën e tij, kërkesa për heqjen e postimit ishte përsëritur. Sipas tij, iu kërkua edhe ndryshimi i përmbajtjes, por ai refuzoi.
Mehmetaj deklaroi se gjatë takimit kishte pasur kërcënime, të cilat më pas i raportoi te organet e rendit.