Gashi: Kuvendi ka rol kyç në procesin e integrimit evropian dhe përfshirjen e qytetarëve
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, mori pjesë në sesionin e parë të Anketës Debatuese Kombëtare, të organizuar në kuadër të projektit “Nxitja e pjesëmarrjes publike në dialog konstruktiv politik”, i realizuar nga Instituti për Politikë Europiane (EPI).
Në këtë aktivitet, i fokusuar në rolin e Kuvendit në procesin e aderimit në Bashkimin Evropian, Gashi theksoi rëndësinë e institucionit ligjvënës në avancimin e reformave dhe në rritjen e përfshirjes së qytetarëve në vendimmarrje.
“Diskutuam mbi rolin e Kuvendit, funksionet e tij kyçe, si dhe sfidat për të balancuar efikasitetin e reformave me nevojën për debat cilësor, transparencë dhe përfshirje të publikut,” deklaroi ai.
Sipas tij, iniciativa synon të forcojë demokracinë pjesëmarrëse dhe të nxisë dialogun publik në vend.
“Kjo nismë synon të forcojë debatin publik dhe të përfshijë qytetarët në mënyrë aktive në proceset vendimmarrëse, veçanërisht në kontekstin e reformave demokratike dhe integrimit evropian,” u shpreh Gashi.