Guardiola: Objektivi ynë është të mbetemi në “Top 24” të Ligës së Kampionëve
Pep Guardiola pranon se po vë në dyshim veten pas humbjes së fundit të Man. Sitit, që vë në rrezik serioz kualifikimin në fazën e eliminimit direkt të Ligës së Kampionëve. Skuadra e tij pësoi humbjen e shtatë në 10 ndeshje, në të gjitha garat, pasi u mposht 2-0 nga Juventusi, në përballjen e fundit europiane.
Golat e shënuar në pjesën e dytë nga Dushan Vlahoviç dhe Veston MekKeni në “Allianz Stadium” i lanë të besuarit e Guardiolës në vendin e 22-të të renditjes. Me vetëm dy ndeshje të mbetura në fazën e grupeve, një vend mes tetë më të mirave dhe kualifikimi automatik për në 1/8 finale duket i paarritshëm. “Qytetarët” përballen me misionin për të qëndruar në “Top 24” dhe siguruar një vend në “play-off”.
“Sigurisht që e vë në dyshim veten, por jam i qëndrueshëm si në momente të mira, ashtu edhe në ato të këqia. Përpiqem të gjej një mënyrë për ta bërë sa më mirë punën time, jam jashtëzakonisht i ndershëm. Nëse luajmë mirë, e them që kemi luajtur mirë. Edhe sonte mendoj se kemi luajtur mirë. Loja jonë do të na shpëtojë. Pranuam pak raste krahasuar me ndeshjen kundër Notingham Forest, që e fituam. Jemi duke gjetur ritmin e duhur. Na mungoi pasimi i fundit, nuk arritëm në kohën e duhur në zonën e kundërshtarit, nuk kishim qetësinë në momentin e duhur. Gjithsesi, e dua skuadrën time. Kjo është jeta, ndodh. Ndonjëherë kalon një periudhë të keqe, por do të insistoj derisa të dalim nga kjo krizë,” tha mes tjerash Guardiola.
Man. Siti tani përballet me një udhëtim vendimtar në Paris, muajin tjetër, për të sfiduar kampionët francezë të cilët, gjithashtu rrezikojnë të mos kualifikohen direkt në 1/8 finale. Guardiola pranon se objektivi i vetëm është të qëndrojnë në ‘Top 24’.
“Ky është objektivi, na duhet një pikë ose tri pikë. Do të shkojmë në Paris për ta arritur këtë dhe pastaj kemi ndeshjen e fundit në shtëpi,” shtoi Guardiola.
Mesfushori veteran Ilkaj Gundogan tha pas ndeshjes se mendonte që Man. Siti po vuante nga mungesa e besimit, por Guardiola i hodhi poshtë komentet e lojtarit të tij.
“Nuk jam dakord me Ilkaj. Sigurisht që është e vështirë, por, përveç një ose dy ndeshjeve gjatë kësaj periudhe, kemi luajtur mirë,” tha në fund trajneri spanjoll.
Man. Siti tani do të përballet me një provë të mëtejshme të qëndrueshmërisë së vet, ndërsa pret rivalët e Man. Junajteit, në një derbi gjatë ditës së diel.