Hajnat thyejnë një xhami në Lipjan, vjedhin arkën me paratë për bamirësi
Xhamitë në qytete të ndryshme të Kosovës shpeshherë janë cak i hajnave, të cilët ua vënë syrin gjërave me vlerë. Cak i hajnave janë më së shumti arkat e ndihmave e kasafortat e mbushura me para, por në raste tjera edhe gjësende tjera materiale, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur në Lipjan, ku persona ende të paidentifikuar kanë thyer xhaminë e fshatit Gumnasellë.
Sinjali mëson se përgjegjësi i xhamisë ka njoftuar Policinë lidhur me rastin, ku ndër të tjera ka bërë me dije se hajnat kanë thyer kasafortën e cila ishte e dedikuar për mbledhjen e parave për qëllime bamirësie.
Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit, teksa janë marrë të gjitha veprimet hetimore që çojnë në identifikimin e të dyshuarit.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapet i dyshuari.