Ilire Dauti i kundërpërgjigjet Dimitrievskit: “Grupi i vogël” i shqiptarëve është sa 54.4% e maqedonasve
Deputetja e Aleancës për Shqiptarët, Ilire Dauti, ka reaguar ndaj deklaratës së liderit të ZNAM-it dhe kryetarit të Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski, i cili shqiptarët i cilësoi si “një grup të vogël qytetarësh”, në kontekstin e debatit për përdorimin e gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Dauti i është kundërpërgjigjur Dimitrievskit duke iu referuar të dhënave demografike, sipas të cilave shqiptarët përbëjnë 29.5 për qind të popullsisë, ndërsa maqedonasit 54.2 për qind.
“Një grup i vogël qytetarësh”, shkruan Dauti, duke paraqitur edhe përllogaritjen se shqiptarët përbëjnë 54.4 për qind të numrit të maqedonasve, pra më shumë se gjysmën e tyre.
Ajo ka ironizuar me cilësimin e Dimitrievskit, duke theksuar se një komunitet me këtë përfaqësim demografik vështirë se mund të quhet i vogël, përveçse në “matematikën politike”.
Në fund të reagimit, Dauti i ka dërguar edhe një mesazh të drejtpërdrejtë liderit të ZNAM-it, duke i kërkuar të ketë kujdes kur flet për shqiptarët dhe gjuhën shqipe.
“Në Qeveri ndaç rri, ndaç mos, veç kujdes kur flet për shqiptarët dhe gjuhën shqipe”, ka shkruar Dauti, duke e përmbyllur reagimin me shprehjen: “Не мешај баби и жаби!” (INA)