
Izet Mexhiti: Ata me shpifje, ne me vepra – Faktet rrëzojnë propagandën!
AA
Zëvendëskryeministri i parë dhe njëri nga liderët e koalicionit VLEN, Izet Mexhiti, ka reaguar ndaj akuzave të fundit të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), duke i cilësuar ato si të pabaza dhe të motivuara politikisht. Në një postim të tij, Mexhiti tha prerë: “Ata me shpifje, ne me vepra.”
Reagimi vjen pasi BDI publikoi një grafikë duke pretenduar se VLEN nuk ka sjellë asnjë shqiptar në punësim, të shoqëruar me mbishkrimin “Fake News”. Por, VLEN është kundërpërgjigjur me shifra konkrete dhe institucione ku shqiptarët janë punësuar ose avancuar, që sipas tyre hedhin poshtë propagandën e BDI-së.
Në dokumentin e publikuar nga VLEN theksohen të dhëna si:
• 60 shqiptarë në HEC Oslome,
• 42 në sektorin energjetik,
• 75 në Postën e Maqedonisë së Veriut,
• 36 në Sekretariatin e Përgjithshëm të Qeverisë,
• 38 në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve,
dhe shumë të tjera që dëshmojnë angazhimin real për përfaqësim të drejtë dhe punësim të shqiptarëve.
“Faktet flasin ndryshe nga propaganda. Ne po i japim fund diskriminimit dhe padrejtësive që janë bërë ndër vite. Jo me fjalë, por me punë konkrete,” thuhet në reagimin e VLEN.
Kjo përballje mes deklaratave publike thellon edhe më shumë ndarjen mes dy kampeve politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, por njëkohësisht ngre peshë rëndësinë e transparencës dhe llogaridhënies institucionale në procesin e përfaqësimit. (INA)